Drejtori i spitalit: Gruaja ka shenjat e coronavirusit, por për mua ka grip!

Aktualitet

Në një kohë kur një grua, e cila ishte kthyer para dy ditësh nga Italia, është izoluar në karantinë në QSUT, pasi ka shfaqur simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit, ka reaguar drejtori i Spitalit të Lushnjës.

Në një prononcim për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Julian Kasapi, Pjerin Vogli deklaroi se gruaja, nga fshati Kadipashaj, njësia administrative Krutje, ishte paraqitur sot në spitalin e Lushnjës, pasi kishte shfaqur temperaturë.

Po ashtu drejtori Vogli tha se pas ekzaminimit nga ana e mjekëve, duke qenë se gruaja kishte pasur temperaturë dhe se vinte nga një zonë e prekur e Italisë, nga Padova, spitali ndoqi protokollin, duke e transferuar rastin në QSUT. Sipas tij, ka dyshime se gruaja është prekur nga një grip i zakonshëm dhe jo nga koronavirusi.

“Për mua dhe për stafin. ishte rast i zakonshëm grupi. Por për shkak se tha se gruaja ishte kthyer nga Padova, vend i infektuar nga koronavirusi, ne zbatuam protokollin dhe e nisëm për tek Infektivi në Tiranë.”, -tha Pjerin Vogli.