Arrestohet biznesmeni i fuqishëm dhe kandidati për deputet i PS
Në orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka vënë në pranga themeluesin e UET Henri Çilin bashkë me avokatin e tij dhe 12 persona të tjerë, nën akuzat e korrupsionit në organet e drejtësisë.
Bëhet me dije se bashkë me Çilin dhe avokatin e tij Ilir Korbi është arrestuar dhe biznesmeni i fuqishëm Sait Fishta.
Fishta nuk është një emër i panjohur në botën e biznesit dhe politikës. Kujtojmë se kompleksi ‘Fishta’ është ndër të parët ndërtuar në Velipojë dhe aktualisht më i madhi ne zonen bregdetare.
Në 2013, emri i tij rezultoi në listën e kandidatëtëve për deputetë të Partisë Socialiste. Pavarësisht se nuk arriti të futej në parlament Fishta renditej i 6 në këtë listë.
Këto dy vitet e fundit janë ndërtuar disa pallate të reja në Velipojë qe prokuroria vendosi t’ia sekuestrojë Fishtës nën akuzën e veprës penale të “Ndërtimit të paligjshëm”.
Bëhej fjalë për sekuestrimin e mbi 9 pallateve në ndërtim në zonën bregdetare të Velipojës.
Kujtojmë se aksioni i policisë pë arrestimin e Çilit është zhvilluar gjatë mesnatës. Procedimi ndaj Çilit ka nisur që në shtator 2019, për akuza si ushtrim i paligjshëm i ndikimit te organet e drejtësisë, mashtrim, falsifikim, pastrim parash.
Emri i themeluesit të UET del në përgjime për ndërhyrje te një gjyqtar, për lirimin nga burgu të dy të burgosurve të arrestuar në Lazarat.
Bëhet fjalë për dy vëllezërit Aliko, të cilët janë dënuar me burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, ndodhur në Lazarat gjatë aksionit të policisë në vitin 2015, kundër kultivimit të drogës.
Në të njëjtën kohë që Çilit dhe avokati i tij Ilir Korbi janë arrestuar, janë ushtruar kontrolle të imtësishme në disa banesa në Lazarat. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e prindërve të dy të burgosurve që dyshohen për vrasjen e efektivit të RENEAS.
Sakaq mësohet se mbi 40 persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Mes të shoqëruarve janë Amarildo dhe Alfred Aliko, në banesat e të cilëve janë gjetur armë dhe municione gjatë kontrolleve të mesnatës në Lazarat.
Aksioni ka nisur dje në mbrëmje dhe botuesi është ndaluar sot nga oficerët e policisë Tiranë. Henri Çili fillimisht është mbajtur një orë në drejtorinë e Tiranes dhe pastaj në Drejtorinë e Përgjithshme.