Nga Albert Avduli/ Vdekja e Artan Voshtinës.

0

Shprehja e ngushëllimeve nuk mjafton.
Unë e njihja Tanin dhe dhimbem për të e familjen e tij.
Duke qënë, pranë në moshë, por edhe fqinj në Ballsh, sigurisht, që vdekja e tij më ka tronditur.
Tani vdiq duke pritur të paguhej për punën e një viti. Familja priste pagën e tij për të shlyer detyrimet e muajit.
Kjo është më tragjikja në këtë vdekje.
Nuk kam qëllim, që vdekjen e kujtdo, ta shndërroj në mesazh kundër qeverisë apo politikës. Reflektim ka mbas çdo vdekje, e natyrshme qoftë, aksidentale, e qëllimshme. Njeriu kur takohet me këtë finale, vëren se jeta duhet jetuar e plotë dhe me mirësi ndaj vetes e të tjerëve.
Po e trajtoj në një rrafsh më të prekshëm.
Vdekja dhe jeta ecin mbi ne.
Bashkëudhëtare bri emrit, fatit, orës, brënda secilit prej nesh.
Nuk di nëse quhet simbiozë e plotë kjo apo jo, por simbiotikë ka.
Jeta na është dhënë për ta kryer. Vdekja, kaq fatalisht pranë, për t’na kujtuar se jeta është e shtrenjtë.
Nga ana tjetër, jeta na kujton se vdekja është e pashmangshme dhe të bëjmë mirë detyrat e të gjallit. Ja, kaq është bashkëjetesa jetë – vdekje.
Një raport kujtese pra midis dy gjëndjeve
Shteti, shoqëria, mjedisi, familja, janë (si rregull) aleatë të jetës.
Nëse, një nga këto elementë, nuk i shërben jetës, atëhere këta janë shkaku i përshpejtimit të kalimit në amëshim.
Vdekja nuk gjykohet. Ajo kryen funksionet e saj të ligjësisë natyrore.
Përgjegjësi e shoqërisë ku qëndron këtu ?
Në rastin konkret, stresi akumuluar, indiferentizmi i të gjithëve ndaj faktit se çfarë po ndodhte në atë qytet, ishin pa e ditur, katalizator në përshpejtimin e ngarkesave emocionale dhe fizike te ai punëtor, te ata punëtorë. Kur shkruaj shoqëria, i përfshijë të gjithë, sepse qytetet, fshatrat, nuk janë të socialistit apo demokratit. Qytetet janë tonat dhe ne jetën e kemi së bashku.
Ne heshtëm të gjithë.
I vdekuri nuk vajton, as kërkon dot shkaqet e vdekjes së tij.
Trashgimtarët, kolegët, të gjallët pra, duhet të sqarojnë rrethanat dhe kur duhet, të kërkojnë e të vënë drejtësi.
U zgjata pak, për të kujtuar se kaq të brishtë jemi. Sot me fjalë e grindje, nesër me lamtumirë.
Tanin nuk e vdiq qeveria. Shteti ka përgjegjësinë e tij sigurisht. Për heshtjen, aferat, korrupsionin, shfrytëzimin dhe mos shpërblimin, etjer, etjer. Pra duket se dha një shtysë në atë fatalitet. Fati i tij ishte aq.
Tanin, X, Y, Zh e këdo, më së pari i vrasim e na vrasin të gjithë nga pak.
Jemi shndërruar në një shoqëri, që vetëvritemi çdo ditë e pastaj si Ponc Pilati, zgjatim duart e themi : Këmbëzën s’e tërhoqa unë, gjurmë baroti nuk ka në gishtat e mi.

Lamtumirë Tan Voshtina !

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author