Mbetjet kancerogjene, ja pse mafia ndërkombëtare lobon për Rilindjen

0

Nga Bujar Nishani

Një krim i rëndë kundër jetës dhe shëndetit të shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre ka dalë rastësisht në dritë.

Trafikimi dhe depozitimi në territorin e vendit tonë të lëndëve kancerogjene nga vendet e tjera konfirmon pushtetin e mafias dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Trafiku i drogës dhe vrasjet mes bandave të krimit duken si dilentantizëm përballë trafikut dhe hedhjes mes shqiptarëve të helmeve kancerogjene, duke e kthyer Shqipërinë në një gropë vdekjeprurëse për shqiptarët.

Në tetor të vitit 2016 si President i Republikës, i ktheva mbrapsht Parlamentit me dekret, ligjin skandaloz të mbetjeve, një ligj që i hapte rrugën depozitimit në Shqipëri të mbetjeve të rrezikshme për jetën e qytetarëve.

Përtej sulmeve ordinere, akuzave të ulta që vinin prej rilindsave ndaj Presidentit të Republikës në atë kohë, më shqetësonte rreziku i madh ndaj jetës së shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre.

Me gjithë mosdekretimin e atij ligji, rilindsit vazhduan me dhunën e kartonave të manipuluar, rrugën e tyre, duke e futur në fuqi ligjin.

Tashmë këto ditë doli në dritë nga media një rast që besoj se është një pikë uji në det, nga sjellja dhe depozitimi në Shqipëri i mbetjeve kancerogjene.

Tentativa për ta varrosur këtë skandal të përmasave jetësore është po aq kriminale sa dhe hedhja e atyre mbetjeve në frymën, gjakun dhe ushqimin e shqiptarëve.

Media hesht, e ashtuquajtura shoqëri civile është zhdukur në drejtim të paditur, intelektualët e mbetur fshihen të tromaksur. Ata heshtin, kur në fakt duhet uluritur.

Ndërkohë çdo ditë, muaj e vit ndotja bëhet më vrasëse ndaj të gjithë neve, ndaj familjeve e fëmijëve tanë.

Vdekjet e shqiptarëve nga ndotja e mjedisit janë bërë të frikëshme me rritje galopante. Në Shqipëri vdekjet nga ndotja rezultojnë të jenë dy herë më të larta se në Europë.

Sipas të dhënave, Shqipëria është e treta në Europë për nga vdekshmëria nga ndotja e ajrit, pas Bosnjës dhe Bullgaisë.

Sipas Raportit të Cilësisë së Ajrit në Europë 2016, në Shqipëri vdiqën prej ndotjes së ajrit 2120 persona. Në vitin 2013, numri i vdekjeve të shkaktuara nga ndotja ishte 776. Brenda 3 vitesh rritje me 300%.

Imagjinoni sa ka shkuar raporti në 2020, kur është bllokuar çdo lloj informacioni e transparence ?

Sipas të dhënave nga OBSH, Shqipëria renditet e dyta për peshën më të lartë të vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i aparatit të frymëmarrjes në Europë,

Trafikimi dhe depozitimini mbetjeve kancerogjene në Shqipëri përbën jo vetëm një krim ndaj mjedisit por dhe një krim ndaj njeriut.

Shqiptarët përveçse po i përzenë nga vendi i tyre por dhe po i vrasin në vendin e tyre.

Trafikimi dhe depozitimi në Shqipëri i mbetjeve kancerogjene është një fakt i shtuar, pse mafia ndërkombëtare financon dhe lobon papushim për mbajtjen në pushtet në forma dhe metoda fashiste të qeverisjes së rilindjes.

Duket se në këto rrethana, sikur fati ynë është i paracaktuar, fataliteti është i vetmi opsion në rrugën tonë, sikur e keqja është e plotfuqishme dhe e pandëshkueshme.

Por jo, kjo nuk është e saktë ! Forca dhe fuqia e qytetarëve është e paimagjinueshme ndaj çdo të ligu sado i fuqishëm që të duket ai.

Mjafton që shqiptarët të vendosin të reagojnë për të mbrojtur, më në fund, jetën e fëmijëve të tyre, jetën e fëmijëve të fëmijëve të tyre, pikërisht këtu, në këtë vend që Zoti e ka bekuar, por që një grup keqbërësish e kanë dhunuar.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author