Jeta private e individit dhe shteti

0

Artur Nura

Para disa vitesh Institucioni i Avokatit të Popullit i kërkoi instrumentave të duhur shtetëror që të mos shkelin mbi dimensionet e jetës private të individëve. Ky istitucion ju referua rasteve kur individë të caktuar shfaqen në ekranet televizive si “fajtor” para se këtë verdikt ta ketë dhënë një Gjykatë.

Në fakt, kjo paradë individësh bëhej dhe bëhet në rajonet e policisë së shtetit prej shumë vitesh dhe derimë tani edhe vetë ekspertë të Institucionit të Avokatit të Popullit e kanë kërkuar një gjë të tillë vetëm nëpërdhëmbë dhe në mënyrë informale!

Nga ana tjetër, të gjithë ata që duhet të jenë vetëm instrumenta të jetës publike në vartësi të integritetit të individid dhe shoqërisë, i trasmetojnë vidiot që shpërndajnë komisariatet e policisë dhe askush nuk jep se sa prej tyre janë shpallur të pafajshëm nga Gjykatat! Kjo ndodh sigurisht edhe për faktin se askush prej tyre nuk do të pranonte të rishfaqej më në ekranet e shumtë televizivë qoftë edhe për tu shfajësuar.

Në këtë rast askush nuk mund t’u imponohet atyre për një akt të tillë të padrejtë i cili prish padyshim rregullat e jetës private dhe mbush kronikat e ekraneve. Atyre vetë u mjafton t’u shpjegojnë të gjithë të njohurve të tyre që i kanë parë si “fajtorë” në ekrane faktin se kanë bindur Gjykatën për pafajësinë e tyre, ndonëse përgjithësisht ata që dëgjojnë janë skeptike për këtë fakt…

Jeta private gjatë diktaturës

Padyshim që jeta private gjatë diktaturës ka qënë një koncept i huaj që duhej luftuar dhe asgjesuar! Partia dhe Sigurimi i Shtetit duhet ti dinte të gjitha për të ruajtur “unitetin” parti-popull dhe popull-parti!

Megjithatë edhe në atë kohë nuk vihej re nje fenomen i tillë që të paragjykonte fajtor dhe të nxirrte para ekranit të vetëm televiziv të kohës. Kjo, pavarësisht se ti nuk kishe avokat mbrojtës dhe gjykoheshe mbi pozicione njëpartiake.

Në atë kohë ishin vetëm praktikat e gjyqeve në koletiv dhe kjo padyshim që bëhej për të të diskretituar në sy të tjerëve. Në fakt mendimi i kolektivit (përgjithësisht në pozita të barabarta me të “pandehurit”) jo në pak raste nxiste për zbutje të dënimit apo edhe falje.

Sot me paradat e radhës nëpër TV-u padyshim që imitohen ato gjyqe kolektive, por sot të gjithë të trajtojnë si “fajtor” pavarësisht se këtë verdikt nuk e ka dhënë akoma një gjykatë ku individi mbrohet edhe nga një avokat profesionist që nëse nuk ke para ta paguash, ta ofron shteti.

Koncepti ynë i jetës private  

Gjatë vitit 1999 kur u involvova në një projekt për evidentimin e krimeve kundër njerëzimit në Kosovë, ndërsa shëtisnim kampeve të shumtë të refugjatëve Kosovarë në Shqipëri, ekspertëve të huaj të së Drejtës Ndërkombëtare herë pas here u duhej të fotografonin persona dhe grupe të ndryshëm refugjatësh.

Në asnjë rast nuk munda të shquaj dikë prej tyre i cili të fotografonte pa marrë leje më parë nga ata, apo ato që do të fotografoheshin. Në ato vite padyshim që ky fenomen më bënte përshtypje dhe në një rast të vetëm i thashë njërës prej tyre se personalisht nuk besoja se atyre do tu vinte keq nëse fotografoheshin!

– Please may you ask them if they don’t mind?! (Ju lutem a mundet ti pyesni nëse pranojnë të fotografohen?!) – Më tha ajo tejet e habitur nga gjesti im!

Bëra padyshim ç’mu kërkua dhe më duhet akoma edhe sot të reflektoj rreth asaj që përfaqësonte kultura e tyre për jetën e tjetrit.

Sot, bëj të njëjtën gjë si ajo me mua, kur herë pas here shoh trupa televizivë të cilat të filmojnë, pa të pyetur nëse je dakort ose jo për një gjë tille! Po kështu bëj kur shoh se të vijnë në rrugë me mikrofon në dorë pa të kërkuar ndjesë aspak, apo të pyetur nëse të pëlqen, ose jo, të dalësh në ekran…!

A duhen krijuar këto standarte?

Padyshim që parimisht përgjigja do të ishte pozitive dhe duke rekomanduar absolutisht shpejtësi në reagim. Kjo duhet filluar nga instrumentat shtetërorë dhe publik të cilët parimisht ndërtojnë jetën publike të vëndit në favor të jetës dhe integritetit të individit dhe shoqërisë.

Nëse shtypi dhe mediat elektronike do ti paraprinin këtij emancipimi të shoqërisë sigurisht që do të kishim rezultate të shkëlqyeshme. Gazetarët dhe opinionistët parimisht e kanë këtë formim për ti paraprirë kësaj nevoje thelbësore.

Nëse parlamentarët dhe grupimet e caktuara të Jurisprudencës Shqiptare, siç mendojnë me të drejtë për ruajtien e imunitetit të tyre që u jep, apo do ti japë ligji, të mendonin edhe për plotësimin e Standarteve Europiane për jetën private të individid, padyshin që do të bënin vetëm detyrën morale ndaj shoqërisë.

Sigurisht edhe Instrumentat e Shoqërisë Civile dhe të mbrojties të të Drejtave Themelore të Njeriut duhet ta nxisnin inistiativa të ngjashmr tëAvokatit të Popullit vetëm si fillim të mbarë të një Kulture të munguar në panoramën tonë socio-politike dhe jo me pak probleme konceptuale.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author