Ahmet Prençi: Pse iu bashkova PD dhe marrëdhënia me Bashën

Ish-kreu i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, në vijim te rrëfimit të e tij për startnews.al, flet për angazhimin politik. Ai tregon përse vendosi t’i bashkohet PD dhe cila është marrëdhënia që ka me Lulzim Bashën.
Si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD, z.Prençi flet për alternativën e PD për të ardhur në pushtet bazuar mbi një program konkret dhe që do të zhvillojë Shqipërinë dhe pohon se nëse bëhen zgjedhje të lira dhe të ndershme opozita e ka të sigurt fitoren.

  1. Zoti Prençi, duke pasur një karrierë të suksesshme, por dhe duke qenë një person që ke një mbështetje të gjerë qytetare për atë çfarë keni dhënë, PD-ja iu ka ofruar duke iu zgjedhur anëtar i Këshillit Kombëtar si dhe jeni dhe aktualisht i deleguari i kryetarit Basha në Pukë dhe Vau Dejës. Si ndodhi ky ofrim?

Unë kam punuar me z.Basha i cili ishte Ministër i Brendshëm edhe si Drejtor i Përgjithshëm por pak kohë dhe si këshilltar i tij pasi u largova nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm. Në momentin që Z. Basha dhe Partia Demokratike po riorganizoheshin, Kryetari i PD, më ka kërkuar që unë të angazhohesha politikisht. E kam mirëpritur këtë ftesë. Së pari kam dhënë dorëheqjen nga detyra që kryeja në institucionin ku punoja dhe vendosa të jem i angazhuar me kontributin tim sado modest për të kontribuar në forcimin e fuqizimin e PD. Tek e fundit unë jam një individ me bindje të djathta, me traditë antikomuniste. Detyrën më të lartë mua ma kishte besuar Partia Demokratike dhe në kushtet kur PD kishte nevoje që unë të kontribuoja sado pak, pa hezitim u bashkova me kauzat e opozitës. Ndonëse një opozitë shumë e vështirë, unë e konsideroj fisnike çdo përpjekje të çdo individi që nuk do që krimi të drejtojë vendin e tij. Natyrshëm që në parti jam votuar për të qenë anëtar i Këshillit Kombëtarë të PD dhe jam në aktivitet të vazhdueshëm kudo ku drejtuesit e Partisë mendojnë se mund të jap kontribut. Në Vaun e Dejës dhe në Pukë jam përkohësisht me detyra konkrete dhe sërish do jem në dispozicion të Drejtuesve të lartë të Partisë ku ata mendojnë se mund të jap kontribut për Partinë Demokratike të Shqipërisë. Unë nuk e bëj këtë që të përfitoj nesër, meqë meritat mi ka dhënë partia në të kaluarën, tani kam detyrimin t’ja shpërblej asaj sa të mundem.

  1. A besoni ju se alternativa e Partisë Demokratike është ajo e duhura jo vetëm për të ardhur në pushtet por dhe për të sjell zhvillimin e vendit, progres për Shqipërinë?

Duhet që populli shqiptarë të mos harrojë asnjëherë që këto 30 vjet gjërat madhore në Shqipëri i ka kryer Partia Demokratike. Në planin ndërkombëtar, PD ishte ajo që anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës, nënshkroi traktatet e miqësisë me vendet perëndimore, nënshkroi marrëveshjen e Asocim – Stabilizimit, anëtarësoi Shqipërinë në NATO, liberalizoi vizat dhe realizoi lëvizjen e lirë në Shengen, priti Presidentin amerikan George W. Bush ku nga Tirana në krah të Kryeministrit Sali Berisha u deklarua për pavarësinë e Kosovës që u bë realitet.

Investime të jashtëzakonshme në sistemin rrugorë në të gjithë vendin. Të mos harrojë askush që po të udhëtosh sot nga Saranda në Tropojë, në Kukës e në çdo zonë të Korçës, Elbasanit, Lushnjës, Fierit etj., ecën në rrugët që realizoi Sali Berisha me Partinë Demokratike. Sistemin e shkollave e të spitaleve, ujësjellësit në të gjitha qytetet, investimet madhore të TAP, hidrocentralin e Devollit etj.

Këto bëjnë diferencën. Këto duhet të thuhen e të nguliten në mendjet e njerëzve. Këtu do jemi e do shikoni se PD do vijë në pushtet dhe ajo do anëtarësojë Shqipërinë në BE. Për këtë jam jo vetëm i bindur por shumë i sigurtë.

  1. Cila është marrëdhënia që keni me Lulzim Bashën?

Marrëdhënia ime me Z. Basha është shumë e mirë. Kryetari i Partisë është institucion dhe unë kam eksperiencën e mjaftueshme për të respektuar institucionin. Konceptet e tij janë tërësisht perëndimore dhe vështirësitë e tij me situatën që është vendi janë të mëdha. Këtu, në vendin tonë, Partia Demokratike, Kryetari, gjithë opozita nuk ka përballë një qeveri dhe po artikulon tezat e saj për qeverisjen e nesërme si në çdo vend demokratik. Këtu ka përballë një bandë kriminale që ka në dispozicion shtetin. Unë si dhe gjithë anëtarët e forumeve të partisë jemi të vendosur për të qenë të palëkundur në frontin e qëndresës në interes të Shqipërisë, për ta shpëtuar sot vendin tonë dhe për ta lartësuar nesër në pushtet në stadin që meriton.

  1. Nëse do të ju kërkohej një ndihmë konkrete, ose e thënë ndryshe një “recetë” nga lidershipi i PD cilat janë këshillat që do t’i jepje si profesionist për të ndihmuar në ardhjen në pushtet të opozitës si alternativë dhe jo me ndihmën e krimit të organizuar siç ka ndodhur më të majtën?

Opozita është alternativë. Alternativa më e mirë, më e leverdisshme për qytetarët votohet dhe populli mandaton shumicën që të qeveris vendin. Në situatën që jemi nuk ndodh kjo. Këtu nuk votohet, këtu vidhet vota, këtu intimidohen votuesit nga krimi i organizuar i bërë njësh me pushtetin, këtu blihet vota me hir dhe pa hir. Tek vota fillon dhe mbaron demokracia. Prandaj të bësh opozitë në këto kushte është shumë e vështirë. Këtu propagandohet dhe flitet gjithë ditën për opozitën. I vihet faji opozitës se përse po qeveriset keq, i vihet faji Lulzim Bashës pse qeveria, parlamenti, administrata janë mbushur me hajdutë e banditë. Më gjeni një vend tjetër ku krimineli edhe me pranga në duar, i arrestuar nga strukturat e qeverisë para kamerave thotë: Rroftë qeveria?! Vetëm në Shqipëri.

PD po bën programin më të mirë ekonomik me ekspertët gjerman. Disa nga pikat e këtij programi janë thënë publikisht nga Kryetari e gradualisht do shpaloset i plotë. Unë nuk kam eksperiencë të mjaftueshme politike që të jap këshilla Kryetarit. Unë i vihem në dispozicion si shumë e shumë të tjerë për të dhënë mendime teknike për punët që kam bërë dhe fushat që njoh dhe këtë e kam bërë dhe e bëj herë pas here kurdo që kjo gjë më kërkohet. Çdo lloj këshille do i jepja Kryetarit, vetëm që të mbështetet tek krimi për të ardhur në pushtet nuk do e bëja, nuk do ta dëshiroja kurrë atë lloj pushteti. Në dijeninë time dhe të çdo shqiptari fatmirësisht Lulzim Basha nuk ka asnjë lidhje me botën e nëndheshme të krimit, përkundrazi me kurajo ka bërë publike me emër dhe mbiemër gjëra shumë të rënda që i kanë rezultuar të gjitha të vërteta.

  1. Një koment për krizën politike që ka ngërthyer vendin. Sa mendoni që do të shkohet tek zgjidhja dhe sipas jush a do të ketë kosto mazhoranca për mënyrën se si vendosi t’i orientoj zhvillimet politike duke shkuar e vetme në zgjedhjet lokale kur një njollë të zezë e ka dhe me zgjedhjet parlamentare te 2017? Besoni në gjetjen e një zgjidhje mes palëve tani që janë ulur në tryezë fal presionit të ndërkombëtarëve ndaj PS?

E gjithë kjo maskaradë me zgjedhjet lokale tregon arrogance e pushtetit që do e paguaj mazhoranca e sotme padiskutim. Këtë ndëshkim do ta marrë nga shqiptarët, nga të djathtët por dhe nga të majtët. Pas reformës zgjedhore sigurisht që do ketë zgjedhje. Vota do jetë dërrmuese për ta përmbysur këtë model të shëmtuar qeverisje. Besoj shumë se do krijohen kushte të përshtatshme për të bërë rotacionin me votë. Të mos harrojmë se tashmë, ashtu si ne edhe ndërkombëtarët janë bindur se çfarë ka ndodhur me qeverisjen në këtë vend. Zgjidhja mes palëve është Kodi Zgjedhor dhe implementimi i tij me korrektësi. Kjo kërkohet dhe kjo do të ndodhi. Nuk ka zgjidhje tjetër.

  1. Ishte një histori e së shkuarës përfshirja e policisë në zgjedhje, por më PS ndodhi që u rikthy ky precedent i ndaluar rreptësish. Sipas jush në zgjedhjet e radhës e do të mund të ndalohet që kjo të mos ndodh dhe nëse zgjedhjet do të bëheshin nesër kush i fiton në perceptimin dhe informacionin tuaj?

E kam përmendur edhe pak më lart. Në dy palë zgjedhje në vitin 2007 dhe 2009 unë kam qenë në drejtimin e policisë. Në të dy rastet policia ka patur sjellje shembullore në zbatim të ligjit. Në asnjë rast kryeministri Sali Berisha nuk ka ndërhyrë në punën e policisë në procesin zgjedhorë. Që në krye të herës pa nisur procesi ka kërkuar me këmbëngulje dhe prerë  zbatimin e ligjit nga policia në zgjedhje dhe ne këtë kemi bërë. Kryetari i opozitës dhe gjithë drejtuesit lokal të opozitës së atëhershme ishin në kontakt me strukturat e drejtuesit e policisë për çdo problem që lidhej me policinë. Në fund të procesit publikisht nga Kryetari i atëhershëm i opozitës, Edi Rama, është falenderuar policia për qëndrimin korrekt në zgjedhje. Po kështu dhe OSBE, po kështu dhe ODIHR-i. Unë jam falenderuar personalisht nga gjithë ambasadorët e rëndësishëm për sjelljen korrekte të policisë së Shtetit në gjithë procesin zgjedhor dhe në sjelljen korrekte ditën e votimit e deri në përfundimin e numërimit e certifikimin e zgjedhjeve.

Pse u prish ky standart? Pse nuk lejohet sot policia të komunikojë me autoritet e opozitës për gjithë veprimtarinë ku policia ka një rol jo pak të rëndësishëm?! Ka vetëm një arsye. Është Kryeministri që e ka spostuar policinë e shtetit nga misioni i saj dhe e ka transformuar në një armë në duart e tij për të realizuar vetëm qëllimet e tij politike dhe jo për ta vënë policinë në shërbim të qytetarëve. Kjo qeveri e ka cënuar rëndë raportin e policisë me qytetarët. Nëse polici i prish shtëpinë qytetarit, nëse polici e fut në burg qytetarin se ai s’ka mundësi të paguajë energjinë elektrike, nëse polici vepron me urdhra politik për të hedhur gaz lotsjellës dhe kur nuk janë kushtet për ta bërë këtë. Atëherë ky raport është dëmtuar rëndë. Kjo e dëmton shumë reputacionin e policisë dhe shkatërron hallkën kryesore që është besimi i ndërsjellë.

  1. A është gati PD të hyj në zgjedhje dhe t’i fitoj ato?

Absolutisht Po.

  1. Prej 2013 vendi qeveriset nga PS, ose me sakte siç thotë opozita “Rilindja” një sekt brenda kësaj force politike. Sa mendoni që kjo forcë politike e ka justifikuar besimin e dhënë qytetar veçanërisht mandatin e parë, pasi të dytin u turrën me marrë tepsi dhe timon për t’i “fituar” me çdo kush dhe çmim zgjedhjet? Pra, në optikën tuaj sa ka mundur Edi Rama të bëj për Shqipërinë dhe bilanci qeverisës për të është pozitiv apo negativ?

Për mendimin tim qeverisja e Edi Ramës është qeverisja më e keqe në këto 30 vite. Arsyet sipas meje i kam renditur shkurtimisht por esencialisht në përgjigjet e mësipërme.

  1. Përtej politikës, si nis një ditë për Ahmet Prençin. Me çfarë jeni marrë këto kohë?

Dita fillon pak vonë për mua si një i papunë që jam J. Them i pa punë pasi skam një punë shtetërore siç jam mësuar ta kem gjithmonë. Ka vite që jam shkëputur me dorëheqje nga marrëdhënia me shtetit dhe merrem me angazhimet e mia private e shoqërore jo të pakta. Jap mësim në një universitet privat në Tiranë dhe kohë pas kohe jam marrë me ndonjë projekt me të huajt që siguroj jetesën që është shumë e rëndësishme për mua dhe familjen. Ja kushtoj pastaj kohën angazhime e takimeve politike e shoqërore. Kur kam mundësi udhëtoj dhe përmbush një nga dëshirat e mia për të vizituar vende të ndryshme. Kohën tjetër mjaft të konsiderueshme ja kushtoj leximit por edhe të shkruarit. Kështu që tani që jam disi më i lirë po përpiqem të përmbush pasionet e mia të hershme që nuk kam patur mundësi ti ushtroj për shkak të angazhimeve të gjata e delikate që kam patur për 25 vjet rresht.

  1. Keni spikatur me krijimtari që në rininë tuaj kur keni pasur botimet e para në shtypin e kohës dhe së fundmi keni ardhur dhe me dy botimet tuaja. A vazhdoni ta ushtroni sërish?

Letërsia është pasioni im i hershëm. Kam lexuar që i vogël letërsi dhe vazhdoj të lexoj dhe sot. Kam botuar poezi në shtypin e kohës që në vitin 1985 e në vazhdim deri në vitin 1991. Pastaj jam shkëputur sepse kisha angazhime shtetërore dhe punë delikate që kërkonin angazhim gjithë kohën, natën e ditën. Shumë pak kohë kisha për të lexuar e ndjekur botimet letrare në vazhdimësi.  Sot që jam më i lirë po i kushtoj më shumë kohë leximit. Kam kohë mjaftueshëm të shfletoj shënimet e mbajtura ndër vite. Kam kohë dhe të shkruaj. Kam dalë me dy botime por do ketë dhe të tjera mendoj. Letërsia ime e shkruar së pari është një kënaqësi estetike personale për veten time, do të thotë që po përmbush një dëshirë timen. Kur dikush e lexon dhe e pëlqen kënaqësia sigurisht është më e madhe. Në këto kushte në një farë mënyre po përmbush një ëndërr rinore, po i kthej borxhin rinisë time. Siç e kam shpjeguar dhe më lart me mua ka ndodhur një gjë shumë e çuditshme; kërkoj të drejtë studimi për letërsi më dërgojnë në shkollë për ekonomi. Sapo mbaroj studimet për ekonomi nuk munda të punoj asnjë ditë ekonomist, me emërojnë në prokurori. Kur trajnohem e fitoj eksperiencën e duhur duke përfunduar dhe studimet për drejtësi më transferojnë e më shkurtojnë vendin e punës. Filloj punë në polici ku mu desh të studioja dhe në akademinë e policisë, të mbaroj bashkë me disa koleg të mi dhe studimet  për menaxhimin e lartë të policisë në një shkollim të PAMEK-ës në Tiranë dhe Vienë  të Austrisë. E kur i ke kryer të gjitha që janë investime të familjes time, të miat , të shtetit tim por dhe të partnerëve evropian e gjen veten të papërshtatshëm për të shërbyer për shtetin tënd.

Faleminderit!

0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments