Gjiknuri dhe Hajdari flasin pas tryezës: Brenda 15 marsit kjo punë të përfundojë
Përfundon takimi i grupit të punës për reformën zgjedhore. Në takim morën pjesë Damian Gjiknuri i PS, Oerd Bylykbashi i PD, Petrit Vasili i LSI dhe Rudina Hajdari e opozitës së re.
Pas takimit, ka folur Gjiknuri i cili tha se është rënë dakord që brenda 15 marsit kjo punë të përfundojë
“Vendosëm afate konkrete që brenda 15 marsit kjo punë të përfundojë. Sot ishte një takim për të dakordësuar agjendën e punës dhe afatet.
Është afat ambicioz por nëse ka vullnet deri në 15 mars ne mund ti kemi zgjidhur cështjet kryesore për të cilat palët mund të duken të ndara”, tha Gjiknuri.
Ndërkaq, pas takimit foli edhe Hajdari në emër të opozitës që ndodhet në Parlament. Hajdari zbardhi se do të trajtohet ndryshimi i sistemit zgjedhor, cështja e referendumit por edhe ndërhyrjet në Kushtetutë nëse është e nevojshme.
“Asgjë nuk është kufizuar do trajtohet ndryshimi i sistemit zgjedhor, të trajtohet cështja e referendumit, cështja e votës së diasporës, një cështje e domosdoshme. Të gjitha këto vërtet deuan kohën dhe seriozitetin e duhur që të kemi një vullnet politik e dakordësi për cështjet që të arrijmë një produkt final të duhurin. Është e rëndësishme mbikqyrja e ndërkombëtareve. Ka patur përfaqësues të OSBE dhe BE.
E shikoj datën 15 mars si datë ambicioze dhe të pamundur por ekspertët do ulen e do punojnë. Ai afat do jetë afati i fundit ku ne do biem dakord për këto cështje. E rëndësishme për tu përmendur është që do ketë ndërhyrje dhe në kushtetutë nëse është e nevojshme. Ne do kemi një ndryshim të sistemit apo kodit zgjedhor në cdo hap të saj. Nuk do ketë thjesht makiazh. Kjo reformë zgjedhore do merret seriozisht dhe do cohet deri në fund”, tha Hajdari.