Arben Malaj i bashkohet ‘PAA’ së Agron Dukës
Ish-ministri i Financave, eksperti i ekonomisë Arben Malaj ka bashkuar forcat në opozitë me Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës.
Malaj do të ndihmojë tashmë PAA-në si këshilltar strategjik për platformën dhe organizimin e kësaj force politike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale.
Malaj vlerëson frymën e PAA dhe shprehet optimist për forcimin e partive të gjelbra në Europë. Megjithatë është e paqartë nëse Malaj e ka lënë apo jo teserën e Partisë Socialiste.
Kujtojmë se marrëdhëniet mes Malaj dhe socialistëve në pushtet u ftohën pasi me vendim të kryeministrit Edi Rama ai u shkarkua nga posti i këshilltarit në Bankën e Shqipërisë.
“Suksese PAA! Mirënjohje çdo kolegu që do të angazhohet për sfidat e PAA, si një mundësi konkrete për zhvillime dhe ndryshime pozitive në Shqipëri”, shkruan ndër të tjera Arben Malaj, raporton newsbomb.al.
Ndërsa zgjedhjen e Malajt për t’iu bashkuar PAA-së e ka përshëndetur edhe kreu i kësaj partie Agron Duka. Politikani me eksperiencë shumëvjeçare që është në aleancë me opozitën jashtëparlamentare të PD, LSI, LZHK, PDIU, PBDNJ dhe PR, shkruan shkurt në rrjetet sociale:
“Me Profesor Malaj kemi pasur një të shkuar të suksesshme, por e ardhmja do të jetë edhe më e mirë”.
Reagimi i Arben Malaj:
Nje angazhim konkret me Partine Agrare Ambjentaliste. E mireprita ftesen e kolegut te nderuar Agron Duka per te kontribuar si keshilltar strategjik per platformen dhe organizimin e PAA per zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe lokale . Keshillimi i kesaj partie te qendres se majte, me strategji te sukseshme, me krijon mundesi reale per te dhene kontribute pozitive per ta rritur fuqine elektorale te PAA dhe per ta ofruar PAA ne cdo aspekt te vlerave dhe misionit te saj politik me te gjelberit evropian, te cilet vleresohen sot si grupimi politik me progresiste dhe me influence te rritur ne qeverisjen vendore dhe kombetare ne shume vende te BE-se, por edhe ne institucionet e saj politike. Te gjelberit ne zgjedhjet e fundit per parlamentin evropian fituan rreth 10 perqind te votave, duke marr nje status te rendesishem edhe per politikat ne nivel evropian. Suksese PAA! Mirenjohje cdo kolegu qe do te angazhohet per sfidat e PAA, si nje mundesi konkrete per zhvillime dhe ndryshime pozitive ne Shqiperi! Arbeni