RUGOVA – PRINC I LIRISË DARDANE!

0

Nga Azgan Haklaj

Kushtuar Abrahamit Arbëror, Atit të Kosovës, Gandit të Ballkanit, Presidentit historik të Kosovës Dr Ibrahim Rugova.

Zemra e Ibrahim Rugovës pushoi së rrahuri, pulsi dhe frymëmarrja e Atit të Kosovës, Gandit të Ballkanit u ndalën, jeta e Abrahamit Arbëror u shua për t’ia emërtuar fuqinë e saj të paanë një populli të tërë të zhuritur për t’i rrahur fort zemra e tij në liri e mëvetësi, siç është ai i Kosovës. Janë të rrallë ata burra shteti, që si Dr.Rugova të mund të bëhen përmendore-simbol për së gjalli të bashkëkombasve aq sa dhe të lënë lavdinë e tyre gjysëm-drejtëz që horizontalisht do të udhëheqë dhe breznitë e ardhshme. Kurrë s’e kam menduar se kaq shpejt do të shuhej kjo flakë që nisi zjarrin e madh të avenirit të një populli kaherë të robëruar, me shekuj i masakruar, në shumë fate njerëzish e kombesh i pafat. Ibrahim Rugova, ky martir i idealeve më të shenjta shqiptare të nëpërkëmbura që nga Roma e Bizanti deri tek sllavofashizmi millosheviçian sot prehet në Panteonin e Kombit përkrah Gjergj Kastriotit, Shenjtorës Nënë Terezës, Ismail Qemalit, Sulejman Vokshit, Haxhi Zekës, Ymer Prizrenit, Hasan Prishtinës, Ded Gjon Lulit, Azem Galicës, Adem Jasharit…
Ndërroi jetë në kulmin e energjisë së tij gjigandi human i mendimit, veprimit, maturisë, diturisë, eksperiencës, e lavdisë si për t’ja kaluar zheninë e vet një populli të tërë, një kombi të ndarë në pesë shtete e të degëdisur nga sunamët tiranikë në çdo cep të botës. Këtë fuqi ai ndau bujarisht, pikërisht tani kur hartës së botës moderne do t’i shtohej më së fundi edhe shteti më i ri i nëpërkëmbur që prej dardanëve të lashtë, Kosova.
Është një humbje jo si gjithë humbjet e mëdha, është humbje që ka përmasa trillesh eskiliane. Pse pikërisht Priami dhëndër dardan ndërron jetë pak çaste para se të shohë nuse Kosovën, djepin që e lindi, që e përkundi, që i dha për zemër strallin e shkëmbinjve të Kaçanikut, që i dha për fjalë arin e zgafellave të Mitrovicës, që i dha për mendje e arsye, kthjelltësinë e ujërave të Junikut…
Fjalët janë pak për këtë burrë, këtë prijës modern të dhimbjes sonë nacionale, thembrës së Akilit të Shqipërisë me emrin Kosovë. Profesori i rrallë i historisë e letërsisë, autori origjinal i mejtimeve naimjane, afro dy dekada më parë vendosi hyjnisht ta sindërtojë në trojet dardane rilindjen e vërtetë, jo vetëm me fjalë e art si Dante Aligieri e Fransua Rabële, por ta materializojë atë duke e konvertuar në liri e pavarësi, çka rrallë gjindet veçse në legjenda e epika intriguese.
Ky ishte dhe do të ngelet Rugova.
Kosova humbi princin e lirisë, i cili lules që po çel shkoi t’i ujisë rrënjët e t’ja mbajë fort ato me kujdesin që vetëm ai dinte të përçonte.
Lamtumirë Ibrahim Rugova, lamtumirë kalorës modern i lirisë. Në ditën e dasmës së madhe të kombit do shfaqesh sërish. Dasma është gati. Historia vetë po e përgatit. E në këtë histori, në një cep të bollshëm të saj, të ngelesh përherë autokton.
Qindra mijëra vetë nga të gjitha trojet etnike të Kombit Shqiptar,dhjetra delegacione nga e gjithë Bota e përcollën për në banesën e fundit Abrahamin Arbëror.

Fotografia e Azgan Haklaj Haklaj


Varri i Iluministit tonë, i Rilindasit të madh do të sherbej si gurëthemel i Kosovës së lirë dhe të pavarur.
Shpirti i tij do të fluturoi në qiell për tu prehur në paqe.
Ai do të jetë Engjëlli mbrojtës i lirisë dhe Pavarsisë së Kosovës, ora e shqiptarisë.
Lavdia jote u përjetësoftë e dëshira, puna, kontributi yt i pamatë u bëftë pishtar në të gjithë trojet iliro-dardane. Një lot i nxehtë burri, bie mbi këto rrjeshta të thjeshtë për ty mësues i madh i qëndresës për liri. Është lot, krenari dhe mall për ty Dr.Rugova.
Çdo ditëlindje e Juaja dhe përvjetor i amshimit do të flasë për Pavdekësinë Tande, Dr. Ibrahim Rugova – Princ i Lirisë Dardane!

Shkeputur nga Libri im “Gjergj Kastrioti- Moisiu Ynë”.

Azgan Haklaj “Mjeshtër i Madh” ish deputet- President i Unionit Artistik të Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.

Fotografia e Azgan Haklaj Haklaj
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author