Karuseli i shtetit nëpër gërmadha

0

NGA FATBARDH KADILLI 

Mes gërmadhave të tërmetit, gjëja më e frikshme është gërmadha e shtetit. Karuzeli mediatik i KMsë vetëm sa e shton dëshpërimin. Ecejaket e tij në këtë skene gjigante krimi dhe fatkeqësie nuk mund ta ndihmojnë rikthimin e shtetit, nuk mund të rikthejnë normalitetin e jetës, nuk mund të rikthejnë frymëmarrjen e ekonomisë.Sa më shumë shkojnë ditët, aq më e fortë është vetëdija e qytetarëve mbi përgjegjësitë e atij që qeveris prej më shumë se gjashtë vjetësh. Ai që në mbi 2200 ditët që qeveris nuk u vesh dy here njëlloj, që prej tërmetit i ka mbirë mbi shpinë xhupi i kombëtares si fole e pashpresë patriotizmi.

Kjo e bën edhe më të fortë vetëdijen se shteti ishte më gërmadhë se gërmadhat e tërmetit. Shteti nuk kishte një qen, nuk kishte një krik për fatkeqët nën gërmadha.

Shteti që, tek e fundit, është ajo copa e letrës që lëshojnë zyrtarët e bashkive dhe administratës tashmë më shumë se gjashtëvjeçare të Ramës, që ka formën e lejes së ndërtimit, të kolaudimit të ndërtesës, të legalizimit të banesës, të akteve të inspektimit të tërmetit të shtatorit, i gjithi u bë shuk. U bë i paqenë.

Shtetit të atij që vetëlëvdohet se gjoja “bën shtet”, nuk i gjendej adresa e strukturës përgjegjëse për emergjencën dhe i ka mbetur vetëm xhupi i zi i Kryeministrit.

Në këtë skenë shkatërrimi, rrëzimi, në këtë skenë zie dhe grije, ka ndezur prozhektorët e egoizmit, e protagonizmit cinik, duke u vërtitur kuturu para kamerave, Kryeministri dhe imituesit e tij të pështirë. Për ditë me radhë, me orë të tëra para kamerave, për të mos lejuar qytetarët të ngrenë pyetje, për të mos lejuar median të bëjë transparencë, Kryeministri dhunon qytetarët me gjellën bajate të propagandës së tij. I pandjeshëm, arrogant dhe përqeshës, sillet në këtë fatkeqësi si aktor pa emocion i etydeve skenike, që ia shkruan vetes.

Nuk u zgjidh hallet njerëzve, por synon t’i përdorë si dekor të fushatës së vet.

Sot janë disa mijëra qytetarë që duhet ta kalojnë dimrin në çadra sepse KM-ja nuk dëgjon të shfrytëzojë zgjidhje të tjera, si strehimi në banesa me qira sa më pranë vendbanimeve të dëmtuara, që njerëzit të mund t’i kthehen sadopak rutinës së mëparshme me punët e ditës, shkollimin etj.

Sot janë mijëra që jetojnë në ankth për fatin e banesave të tyre të dëmtuara, pasi KMja nuk pranon të dëgjojë propozimin racional të opozitës, që të mobilizojë qindrat e ekspertëve për të bërë sa më shpejt vlerësimin teknik të ndërtesave. Fton opozitën të bashkëpunojë, por i injoron dhe i përqesh krejtësisht 5 pikat e propozimit të opozitës për të krijuar lehtësira të domosdoshme për bizneset e zonave të dëmtuara. Nuk ia ndien se demi i tërmetit është më i madh në rikuperimin e jetës, punës, ekonomisë

Sot na servir aplikacione tredimensionale, pamje kompjuterike të projekteve për lagje të reja si zgjidhja e shpëtimtarit. Këto lagje tipike si qytezat e socializmit nuk janë zgjidhje racionale për njerëzit në fatkeqësi, por janë një mundësi më tepër për Ramën që të vazhdojë ta përdorë Shqipërinë si lodrën e tij. Arbitrariteti i tij nuk llogarit implikimin e pronës, pronësinë dhe bashkëpronësinë e asaj që do të mbetet pas shkatërrimit të ndërtesave. Nuk llogarit implikimin e shkëmbimeve të pronave që gëzonin qytetarët me atë ku do të synoje t’i dërgojë nëse lagjet virtuale do të kenë fatin të ndërtohen. Nuk llogarit që fantazia e tij, nëse realizohet, do të krijojë një geto të fatkeqëve nga tërmeti, një komunitet të traumatizuar dhe të dënuar të rrojë me traumën e vet përgjithmonë.

Nuk shqyrton mundësinë e blerjes me çmime sa më të ulëta të stokut të disa mijëra apartamenteve të pashitura në Durrës dhe kudo që është një zgjidhje shumë e shpejtë për qytetarët e mbetur pa strehë dhe që u mundëson atyre integrim të menjëhershëm në hapësirat urbane ekzistuese. Kjo do shërbente edhe për të zhbllokuar atë kapital të madh të ngurtësuar prej vitesh dhe që rrezikon të zhvlerësohet edhe më shumë nga rënia e pritshme e tregut të imobiliareve, si efekt posttërmet, veçanërisht në Durrës. Por, kjo zgjidhje nuk ka dukje, nuk ka skenë për narcisin e sëmurë që kemi në krye të vendit. Ai po prish me shpejtësi dhe sa më shumë, që të ndërtojë sa më shumë lagje apo kuartalla banesash për t’u shfaqur si ndërtues, si shpëtues. Ua zgjat vuajtjen njerëzve në nevojë, që të ketë mundësi të shfaqet duke inspektuar ndërtime.

Kjo fatkeqësi vetëm sa na kujton se shteti u bë shuk dhe se Rama është një nga përgjegjësit kryesorë, në mos me kryesori. Ka mbi 20 vjet në pushtet, në Durrës dhe Tiranë. Është në vitin e shtatë si Kryeministër i plotpushtetshëm dhe si i tillë, është fytyra më përfaqësuese e dështimit të shtetit. Karuseli mes gërmadhave i këtij shteti është kujtesa më therëse për këdo, që të kuptojë dhe mbajë mend mirë se çfarë ndodh kur toleron fatkeqësinë që të qeveris.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author