Salianji: Askush nuk mund të më frikësojë dot

0

Ishte kjo deklarata e ish deputetit demokrat Ervin Salianji, për të cilin sot prokurorët e dosjes së njohur ndryshe si Babalja kërkuan dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, që konvertohet me 3 vjet shërbim prove. Ai akuzohet për kallëzim të rremë, i kryer në bashkëpunim.  Ai hodhi akuza të forta ndaj prokurove të cilat tha se po përdoren nga qeveria, që iu bën presion me vettingun.

Sipas tij nuk ka asnjë provë të re, për të dhe të akuzuarit e tjerë, por vetëm një ndryshim të hetimit “ tani me jo për vëllain e ish ministrit, por për tre denoncuesit”

“Kjo nuk është drejtësia e re, janë prokurorë të drejtësisë së vjetër të përfshirë në llumin e korrupsionit”, tha Salianji.

Fillimisht ishte Partia Demokratike ajo që bëri publike bisedën që sipas saj ishte zhvilluar mes Albert Veliut (i quajtur Bashkëpunëtori X) dhe Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Teksti i bisedës linte të kuptonte për një marrëveshje për transportin e një sasie marijuane drejt Italisë. Më pas ishte vetë Albert Veliu që u shfaq në një intervistë ku pranonte se kishte takuar Agron Xhafaj dhe se kish biseduar me të, e se madje ky i fundit dhe e kish ndihmuar, për transportin e drogës. Deklarimet e Veliut megjithatë ishin kontradiktore, dhe këto kontradikta u shtuan më tej pasi gazetari Jetmir Olldashi, doli publikisht duke shpjeguar se kish qenë ai që i kishte vënë përgjuesin Veliut, pasi po kryente një hetim gazetaresk mbi rrjetet e trafikut të marijuanës në Vlorë.

E gjithë historia u shoqërua me polemika të forta, kërkesa të opozitës për dorëheqjen e ministrit, dhe akuza se kishte marrë në mbrojtje të vëllanë i cili kishte qenë i arrestuar në vitin 2002 në Itali, dhe më pas i dënuar për pjesmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës. Agron Xhafaj, deklaroi se nuk kishte bërë asnjë bisedë me Veliun, ndërsa shkoi në Itali për të vuajtur dënimin.

Hetimet e zhvilluar nga Prokuroria duket se kanë zbuluar një tjetër skenar. Ajo dyshon se gjithçka ka qenë një inskenim mes Veliut dhe një personi tjetër, Fredi Alizoti. Ky i fundit dyshohet që të ketë luajtur “rolin” e vëllait të ministrit në bisedat e regjistruara. / Opinion.al

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author