Leshaj: Varrosëm viktimat, por jo përgjegjësit

0

Ministri i Brenshëm Sandër Lleshaj në një deklaratë për mediat tha se deri tani janë varrosur viktimat nga tërmeti i 26 nëntorit dhe ndërtesat e shembura.

Por theksoi se nuk mund të varroset përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje dëmtimin që  kanë pasur godinat.

Sandër Lleshaj: “Këto ditë ne kemi parë vetëm atë pjesën më tragjike të asaj që ka ndodhur, varrimin e shumë njerëzve që humbën jetën. Kjo që po shohim tani është edhe varrosja e disa godinave që në fakt janë shembur vetë. Tani thjesht po bëhet transporti i tyre drejt vendeve të grumbullimit të mbetjeve.

Ajo që nuk mund të varroset kurrë është përgjegjësia e gjithkujt që ka lidhje me këtë cedim që kanë patur në disa godina, kryesisht pallate dhe disa godina të tjera. Strukturat e policisë, kanë punuar për të evidentuar gjithçka që lidhet me veprimtari të mundshme kriminale.”

Lleshaj theksoi se të gjitha pallatet ku ka pasur humbje jetësh konsiderohen si skena krimi.

Sandër Lleshaj: “Të gjitha pallatet ku ka patur humbje jete njerëzore, janë skena krimi, konsiderohen nga Policia si skena krimi dhe si të tilla janë trajtuar. Aty janë grumbulluar provat materiale dhe janë administruar në bashkëpunim me Prokurorinë. Pra gjithçka është bërë me një skrupolozitet të paqortueshëm dhe sot për çdo godinë që është rrëzuar përfundimisht, provat janë të administruara sipas procesit përkatës procedural ligjor.”

Ministri shtoi se po bëhen hetime të thella që do japin përgjigje për gjithçka që kanë ndodhur.

Sandër Lleshaj: “Ndërkohë që një ekip i madh hetuesish, investigatorësh, të Policisë së Shtetit, Prokurorisë po merren me verifikimin e thellë, hetimin e thellë, i cili do të na japë pastaj dhe përgjigjet për gjithçka ka ndodhur dhe për gjithçka që nuk ka ndodhur, sepse kemi diferenca.

kemi raste kur dy pallate janë ngjitur dhe një pallat është shembur dhe tjetri jo, pra një përgjigje duhet kërkuar përse është shembur ky dhe jo ky tjetri.

Ajo që pason tani është hetimi. Hetimi i thelluar i dokumentacionit, i përgjegjësive dhe kemi dy kategori përgjegjësish këtu: kemi kompanitë e ndërtimit ose ndërtuesit, të cilët kanë ndërtuar pallate me cilësi jo të përshtatshme; kemi ata që kanë ndërhyrë në pallate dhe i kanë kthyer ata në rrezik për qytetarët, dhe kemi edhe administratorët, kemi pjesë të administratës, të cilët kanë qenë rojet publike që këto gjëra të mos ndodhin.”

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author