Aktualitet

Dhuna e banditëve ndaj banorëve të Unazës/ Kush ia lidhi gjuhën e këmbët “opozitës së re”

Nga Boldnews.al

Të paktën 12 persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e dhunës së paprecedentë që nisi rreth orës 06:00 të mëngjesit ndaj banorëve të Unazës së Re nga policia e Lleshajt.
Trupa policore nuk kursyen askënd, tërhoqën zvarrë gra e vajza, goditën me shkopinj gome të moshuar, shoqëruan në komisariate cilindo që fatkeqësisht kishte zgjedhur të pinte një kafe në një nga lokalet ku u shtri terrori policor.

Rama, përmes policisë së Lleshajt, tregoi dhëmbët. Gjithçka ndodhte kur pjesa më e madhe e qytetit ose ishte në gjumë, ose prindërit mendonin të çonin fëmijët në shkolla. Disa prej mediave pasqyruan pamje dhe foto që nisën të bëjnë xhiron e Botës, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale, dhe tregonin barbarinë e njerëzve të veshur me uniformë, skafandra e mburoja, ndaj qytetarëve që kishin të veshur rrobat e trupit.

E gjithë situata zgjati jo më shumë se dy orë, pastaj vëmendja u përqëndrua te Spitali i Traumës, atje ku dërgoheshin të plagosurit, mes të cilëve edhe punonjës policie.
Pak shumë pak ish-deputetë të opozitës, ishin me banorët, në një tentativë për të qetësuar situatën, që më shumë se sa një aksion për shembjen e disa shtëpive, ishin një operacion për të krijuar frikë, panik e terror.

Dhe duket se sot policia e Lleshajt ia arriti, jo vetëm të krijonte kushtet për të lënë në qiell të hapur 33 familje, por edhe për të krijuar panikun te qindra të tjerë.
Rama dhe Veliaj, secili nga zyra e tij u ndjenë triumfatorë. Vartësit e tyre politikë heshtën, përfshi këtu edhe “rebelin” Pandeli Majko, ndoshta të vetmin socialist të mbetur mes Rilindasve dhe 99-çave. Nuk dinin çfarë të thonin apo kishin frikë kjo mbetet për t’u parë, por ata iu nënshtruan tërësisht dhunës që serviri Rama-Veliaj përmes Lleshajt.
Po kështu heshtën edhe ata që i pëlqen të quhen “opozita e re” apo “opozitarët e rinj”. Askush prej tyre, ndonëse me një mandat të dhuruar në xhep, nuk guxoi të shkonte atje, mes banorëve të Unazës, ku po dhunoheshin gra e fëmijë, të moshuar e burra.

Nuk u shfaq as Kujtim Gjuzi, as Rudina Hajdari, as Myslym Murrizi, apo Ralf Gjoni e plotë emra të tjerë që ndoshta as kolegët e tyre në Kuvend nuk ua dinë. Nuk shkuan as dy deputetët që kryesojnë dy partitë e Ballit Kombëtar, dhe as ata që bëjnë sikur trashin zërin në studio televizive apo në sallën e Kuvendit, dhe presin një kockë nga qeveria.
Janë këto deputetët e “opozitës së re” që kërkojnë nga Kuvendi t’i pajisë me shtëpi në Tiranë meqë kanë një mandat deputeti, por s’thonë asnjë fjalë kur disa nga qytetarët e mirë të këtij vendi, nesër do të mbeten pa shtëpi.

Dhe shtëpitë e tyre nuk mund t’ia dhurojë as Rama, as Veliaj, as Ruçi e gjithkush tjetër në vathën e Rilindjes.

“Opozita e re” u bë njësh me Rilindjen, sot nuk kishte as zë dhe as figurë. Ndoshta, mirëmbajtësi i ERTV i kishte ndërprerë sinjalin, ndërsa dikush tjetër mund t’i ketë lidhur këmbët, duart dhe gjuhën.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?