Meta takohet me arbëreshët: Shqipëria ka vetëm një të ardhme, Europën!

0

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, vizitoi Komunën e Kazalvekios në rajonin e Puljas, ku u prit ngrohtësisht nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.

Në fjalën përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Kazalvekios, Noe Andreano, e falenderoi Presidentin Meta për vëmendjen dhe kujdesin e përhershëm të treguar ndaj komunitetit arbëresh, veçanërisht të rajonit të Puglia-s, si dhe vlerësoi nismën “U’ jam Arbëresh”.

Pas takimeve me banorët e shumtë që kishin dalë për ta pritur, Kreu i Shtetit mori pjesë në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”.

Në këtë veprimtari ishin të pranishëm personalitete të shumta të pushtetit vendor, Kryetari i Komunës së Casalvecchio z.Noe Andreano, Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe i dërguar i Presidentit të Rajonit të Pulias, z. Domenico Laforgia, Zv/Prefekti i Foxhias z.Ernesto Liguori, si dhe Kuestori i Foxhias z.Paulo Sirna.

Fjala e plotë e Presidentit Meta në konferencën me temë “Zhvillimi i raporteve social-ekonomike midis komuniteteve arbëreshe dhe Shqipërisë”:

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme të jem këtu në Kazalvekio, ekzaktësisht një vit pasi vizitës sime të paharruar me Presidentin Mattarella në Shën Mitër Korona. Ne u jemi shumë mirënjohës arbëreshëve, sepse jo vetëm kanë ruajtur për shekuj identitetin, historinë, traditën e ritet e tyre, por mbi të gjitha e mbrojtën si të shenjtë figurën e Skënderbeut dhe e rikthyen atë në kohën e duhur për të nxitur rilindjen dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ne nuk e harrojmë investimin e jashtëzakonshëm që bënë personalitetet e mëdha të botës arbëreshe si Jeronim De Rada, Zef Serembe e Gavril Dara, për të frymëzuar popullin shqiptar, të shtypur për disa shekuj nën Perandorinë Osmane, për t’u ringritur për pavarësinë e Shqipërisë. E them me bindje dhe ndërgjegje të plotë institucionale, politike e kulturore që ne e kemi shtetin tonë në radhë të parë edhe falë atij kontributi historik të arbëreshëve të Italisë.

Kjo është arsyeja përse duhet t’i kushtojmë shumë më tepër vëmendje ruajtjes së kulturës arbëreshe, sepse globalizimi është një kërcënim serioz për minorancat kulturore, apo për popujt dhe vendet modeste.

Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Jugun e Italisë, si dhe në komunat arbëreshe, ka një tendencë të të rinjve për t’u larguar drejt vendeve më të zhvilluara. Ndaj është me rëndësi që t’i kushtojmë më shumë vëmendje përpjekjeve për mbrojtjen dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së minorancave. Sepse gjuha dhe kisha e ruajtën këtë trashëgimi për shekuj dhe tani është koha që gjuha arbëreshe të mos rrezikohet të shuhet.

Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e shtetit Italian për kujdesin dhe angazhimin e tyre për ta zbatuar sa më mirë në praktikë legjislacionin shumë të avancuar sa i takon mbrojtjes dhe ruajtjes së gjuhës e kulturës së minorancave. Nëse në 5 shekuj arbëreshët ruajtën identitetin, kjo është meritë jo vetëm e karakterit të tyre, por një meritë të jashtëzakonshme ka edhe populli italian. Nga nivelet më të larta deri në ato lokale në Itali kam konstatuar se ka vullnet dhe ndërgjegjësim që trashëgimia kulturore arbëreshe është një pasuri e përbashkët e Italisë dhe e Shqipërisë.

Është shumë e rëndësishme të shtojmë të gjitha shkëmbimet dhe të institucionalizojmë bashkëpunime sa më të dobishme. Së fundmi unë vizitova Plataçin, dhe jemi duke punuar për një Protokoll Bashkëpunimi me qeverinë rajonale të Kalabrisë, për të realizuar në të ardhmen një bashkëpunim në të gjitha fushat me këtë rajon. Jo vetëm në mbrojtje të kulturës dhe identitetit arbëresh, por edhe për ta shfrytëzuar atë për një rritje të marrëdhënieve ekonomiko-kulturore.

Kemi realizuar binjakëzimin e kësaj komune me bashkinë e Gramshit dhe kemi iniciuar shumë binjakëzime të tjera mes bashkive tona dhe komunave Arbëreshe. Këto lidhje të drejtpërdrejta, do të rrisin ndjeshëm të gjitha shkëmbimet e përgjithshme.

Shpresojmë dhe po punojmë edhe për një lidhje direkte midis Tiranës dhe Lamecias.

Jemi gjithashtu të lumtur që në kohët e sotme, nuk ka vetëm shqiptarë në Itali, por kemi edhe një komunitet italian që po rritet në Shqipëri.

Tani nevojitet një nivel i ri i marrëdhënieve me Puljan, sepse unë besoj se kemi ende një potencial të pashfrytëzuar në marrëdhëniet tona. Fakti që kemi kaq shumë lidhje, por edhe kaq shumë shkëmbime ekonomiko-tregtare, e bën edhe më interaktive një strategji më konkrete të forcimit të bashkëpunimit .

Në këtë drejtim universitetet mund të luajnë një rol edhe më të rëndësishëm. Unë kam shumë besim se përpjekja jonë e përbashkët e cila nga Kazalvekio merr një dimension të ri për shkak edhe të memorandumit të mirëkuptimit që do të firmoset midis Kryetarëve të Bashkive. do t’i japë një përkrahje më të fortë përkatësisë, krenarisë dhe kulturës arbëreshe, por njëkohësisht bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë.

Shqipëria ka vetëm një të ardhme, kjo e ardhme është në Europë. Identitetin dhe rrugëtimin europian të Shqipërisë e ka përcaktuar Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu!

Këtë identitet dhe këtë rrugëtim europian të kombit tonë e kanë ruajtur të paprekur në radhë të parë arbëreshët.

Faleminderit edhe një herë!”

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author