Mbrojtja e të dhënave personale, një justifikim për jo transparencë?!

0

Nga Silvi Bano – Studente e Drejtësisë

Çdokujt që kohëve të fundit i ka rastisur të kërkojë për vendime gjykate, në faqet zyrtare on-line të gjykatave të shkallës së parë dhe atyre të apelit duhet t’i ketë bërë përshtypje fakti se aty nuk gjendet më asnjë vendim. Kjo masë, tashmë është marrë në kuadrin e mbrojtjes së të dhënave personale. Në pamje të parë, mund të duket si një masë totalisht e dobishme por krahas kësaj të drejte, mund të themi se paralel me të ecën gjithashtu edhe e drejta e informimit. E drejtë kjo, e cila garantohet nga neni 23 në Kushtetutën e Repblikës së Shqipërisë i cili shprehimisht thotë: ”

1. E drejta e informimit është e garantuar.

2. Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.

3. Kujtdo i jepet mundësia të ndjekë mbledhjet e organeve të zgjedhura kolektive.” Natyrshëm mund të pyesim: A kemi cënim të së drejtës së informimit të çdokujt, në rastin kur gjykatat nuk publikojnë vendimet e tyre? Kjo është një pyetje e cila ngjall mjaft debat por le të shohim më mirë disa aspekte për të kuptuar më konkretisht. Le të shohim përse vendimet e gjykatës përbëjnë interes për qytetarët e thjeshtë. Një arsyetim mund të jetë si më poshtë… Të mos pasurit akses në vendimet e gjykatës privon qytetarët e thjeshtë nga informimi për çështje me interes publik. Dikush mund të ngrejë pretendimin dhe të thotë se çështje të një rëndësie të tillë i publikon media, duke i bërë të njohura për masën e gjerë, kështu nuk shihet i nevojshëm publikimi nga ana e gjykatës.

Në këtë situatë mund ta vlerësojmë pretendimin si pjesërisht të drejtë. Përse? Marrim një shembull për të kuptuar më qartë. Në shoqërinë tonë kemi mjaft individë të cilët ushtrojnë profesione të lira si ai i avokatit,psikologut,farmacistit…etj, të cilët gjatë punës së tyre mund të bien në shkelje të rënda të etikës profesionale, për të cilat mund të merret masë nga organi i tyre rregullues psh.Dhoma e Avokatisë, Urdhri i Psikologut.., por kemi parë mjaft raste të cilat përfundojnë edhe në dyert e gjykatës. Shpesh herë kemi dëgjuar për raste flagrante të ndikimit për shkak të detyrës,abuzime,shkelje të etikës, etj. Raste të tilla jo domosdoshmërisht bëhen publike nga media.

Andaj mund të themi se vendimet e gjykatës në raste të tilla sigurisht që përbëjnë interes publik. Mos-informimi në këto raste rrit probabilitetin e pranisë së pasojave negative për çdo qytetar të thjeshtë në shoqërinë tonë. Së dyti, vendimet e gjykatës kanë një rëndësi gjithashtu edhe për jurisprudencën si për studentët ashtu edhe për kërkimet shkencore, të cilët përmes vendimeve mund të nxjerrin konkluzione dhe të shohin evoluimin e legjislacionit dhe praktikës juridike ndër vite. Nga ana tjetër nuk duhet nënvlerësuar absolutisht mbrojtja e të dhënave personale pasi është një problematikë reale në epokën tonë. Aspekt i cili mbrohet gjithashtu me ligj. Por a kemi vërtetë mbrojtje të plotë të të dhënave personale përderisa 95% e seancave gjyqësore zhvillohen me dyer të hapura?

A është plotësisht i dobishëm mos-aksesi në vendimet e gjykatës në dy shkallët e para të gjyqësorit? Po të reflektojmë pak mbi situatën dhe mbi pyetjet e ngritura shohim se ka diçka paksa kontradiktore dhe duket se ka një ngërç. Nga një anë flasim për mbrojtje të dhënash nga ana tjetër kemi seanca gjyqësore publike dhe për mos të lënë pa përmendur të drejtën e informimit e cila në këtë rast është e cënueshme. Ky fakt na bën të dyshojmë gjithashtu se mos-aksesi në vendimet e gjykatës, është vërtetë në kuadrin e mbrojtjes së të dhënave personale apo ka ndonjë qëllim të fshehtë në vetvete, si jo transparenca me publikun.

Duke parë këtë si një problematikë jo pak të rëndësishme shihet e nevojshme rregullimi dhe ngritja e një sistemi me qëllim që të ketë një ekuilibër midis këtyre dy të drejtave.Disa vende e kanë zgjidhur këtë situatë duke i publikuar vendimet gjyqësore me iniciale,kështu duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale por edhe të drejtën e informimit.

Një zgjidhje tjetër mund të ishte klasifikimi i vendimeve gjyqësore sipas rëndësisë së tyre për informim publik. Së fundi, themi se është tejet e rëndësishme dhe e nevojshme që shoqëria jonë të ketë medoemos akses për informim kurse të tri pushtetet të sigurojnë patjetër transparencë reale për veprimtaritë e tyre por duke mos shkelur të drejtat themelore.

Total 2 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author