Basha/ Shumë shpejt vizitë në SHBA

0

“Qëllimi i protestave tona madhështore dhe i aktit tonë të fortë politik për të djegur mandatet nuk ishte rrëzimi me dhunë i qeverisë, apo pushtet mbi viktima”.

Kështu deklaron kreu i opozitës Lulzim Basha në një intervistë për gazetën “Mapo”, teksa thotë se qëllimi i protestave ishte ndërgjegjësimi kombëtar dhe ndërkombëtar mbi gjendjen e rëndë në vend.

“Ka një angazhim dhe mobilizim kapilar të demokratëve për të qenë gati në çdo kohë për zgjedhje të parakohshme. Kjo punë kolosale vjen pas protestave masive, të cilat nuk shkuan dëm. Është për shkak të këtyre protestave që Bashkimi Europian dhe partnerët tanë strategjikë, njohin krizën e rëndë politike të Shqipërisë dhe kërkojnë që ajo të zgjidhet sa më shpejt, duke i krijuar vendit mundësinë për zgjedhje të lira e të ndershme. Qëllimi i protestave tona madhështore dhe i aktit tonë të fortë politik për të djegur mandatet nuk ishte rrëzimi me dhunë i qeverisë, apo pushtet mbi viktima. Qëllimi ynë ishte ndërgjegjësimi kombëtar dhe ndërkombëtar mbi gjendjen e rëndë në vend. Dhe ia arritëm”, deklaron Basha, ndërsa thotë se Reforma Zgjedhore është rruga e daljes nga kriza

“Është bindja ime e thellë se pa garantuar votën e lirë, pa i dhënë fuqinë që i takon në demokraci votës së qytetarëve, vendi nuk do të bëjë kurrë progres. Ky është tashme kusht i vendosur edhe nga Bundestagu gjerman për hapjen e negociatave”, thekson lideri i demoktratëve.

Basha thotë se “Rama ik” është thirrja e shumicës dërrmuese të qytetarëve” dhe se për këtë thiirrje “flet çdo denoncim i Partisë Demokratike, çdo aktivitet i saj publik dhe jo publik”.

“Thelbi i kërkesës kryesore të opozitës janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Ne jemi të gatshëm të hyjmë në zgjedhje që nesër me të njëjtin kusht që kemi patur prej 16 Shkurtit- garantimin e lirisë së votës për shqiptarët. Këtë duhet ta bëjë një qeveri kujdestare, që ka vullnetin për të përmbushur rekomandimet e ODIHR dhe kushtet e Bundestagut”, vijoi më tej kreu i PD, ndërsa pretendon se nëëse vendi shkon në zgjedhje që nesër demokratët do fitojnë shumicën.

“Partia Demokratike do të fitojë shumicën e duhur që do t’i mundësojnë qeverisjen e vendit. Të gjitha sondazhet e nxjerrin sot Partinë Demokratike forcën e parë politike në vend, një fenomen që ka, të paktën, dy dekada që nuk ndodh në Shqipëri. Ne po bëjmë gjithçka të bindim edhe elektoratin e pavendosur se PD është alternativa më e mirë për vendin. Dhe për këtë ne kemi hartuar një program ekonomik në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët gjermanë te CDU dhe në konsultim të gjerë qytetar” tha Basha, ndërsa foli për ekipin që fshihet pas tij.

“Partia Demokratike ka kapacitete njerëzore dhe intelektuale për të ndërtuar më shumë se një ekip qeverisës. Unë jam krenar që drejtoj një parti që ka kaq shumë kapacitete si PD. Ekipi im janë demokratët në të gjithë vendin, janë njerëzit e ndershëm që e duan vendin e tyre, janë qytetarët që duan të japin kontributin e tyre për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa. Ekipi im nuk do jenë kurrë hajdutët, të korruptuarit dhe kriminelët. Por djemtë dhe vajzat e Shqipërisë, të mirëshkolluar dhe me integritet, që qeverisjen e shohin si shërbim ndaj njerëzve të zakonshëm dhe jo si mundësi për tu pasuruar vetë në mënyrë të paligjshme apo për të pasuruar një grusht njerëzish në kurriz të interesit tëqytetarëve. Unë ju garantoj që në qeverisjen e vendit do të jetë një ekip perëndimor që do bëjë ndryshimin e madh dhe rrënjësor të qeverisjes, nje qeverisje të njerëzve dhe për njerëzit”, tregoi lideri i demokratëve.

Basha deklaroi se PD mbetet e hapur edhe për deputetët në Kuvend, të cilët në momentin që pranuan mandatin i quajti “tradhtarë”.

“Partia Demokratike ka qenë dhe do të mbetet një parti e hapur, ku cilido që dëshiron të japë kontribut, do t’i mundësohet kjo. Unë nuk kam larguar dhe nuk do të largoj kurrë nga PD asnjë demokrat, asnjë kontributor. Secili prej tyre është aksioner në këtë parti dhe ka përgjegjësi përpara demokratëve të tjerë për të kontribuar në suksesin e Partisë Demokratike. Kam komunikim të vazhdueshëm me themelues të Partisë Demokratike, me ish-drejtues apo ish-deputetë, që vazhdojnë të kontribuojnë në parti përmes këshillave dhe aktivitetit të tyre. Përfitoj nga eksperienca e tyre e çmuar për të bërë të mundur sa më shpejt ndryshimin që e dëshiron çdo shqiptar. Partisë Demokratike po i bashkohen çdo ditë të rinj e të reja të shkolluar brenda dhe jashtë vendit në universitetet më të mira te botës, po i bashkohen me një entuziazëm prekës gjimnazistë që duan të kontribuojnë në ndryshimin e madh që e pret vendin. Në PD kontribuuesit më të mëdhenj janë dhe qëndrestarët e palëkundur dhe idealistë, të cilëve u kemi një borxh të madh mirënjohje”, tha Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se vizita në SHBA ka si qëllim eleminimin e krizës në Shqipëri.

“I gjithë kontakti dhe bashkëpunimi im me faktorin ndërkombëtar, me partnerët tanë strategjikë SHBA, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Italinë, Greqinë, Francën, Holandën, vendet e tjera të BE, kanë një qëllim: t’i japim fund kësaj krize të thellë politike dhe institucionale, t’i japin fund krizës ekonomike dhe sociale për shqiptarët, dhe për të hapur horizontin për Shqipërinë e standardeve europiane”, theksoi ai, ndërsa tha se është krenar për punën e tij.

“Unë jam krenar për punën dhe kontributin tim deri më sot në çdo dikaster që kam drejtuar. Ndonëse ka një propagandë të orkestruar nga kundërshtarët tanë, e njëjtë më atë se PD nuk paska një alternativë, nuk kam humbur dhe nuk do të humb asnjëherë energji për vetëmburrje. Formimi im perëndimor nuk ma lejon të dal jashtë modestisë, përulësisë dhe angazhimit për t’i shërbyer vendit me vepra dhe jo me fjalë. Në çdo detyrë që kam patur dhe në detyrën time si kryetar i opozitës jam plotësisht i angazhuar të punoj për t’u ofruar shqiptarëve mundësi për të jetuar më mirë”, deklaroi Basha, ndërsa tregoi se dy vajzave të tij Viktorias dhe Dafinës mundohet t’ja shpjegojë situatën politike me fjalë të thjeshta.

“Vajzat e mia janë akoma të vogla dhe unë përpiqem t’ua bëj shpjegimin sa më të thjeshtë, kur më pyesin. Dafina dhe Viktoria dinë pak për punën time të përditshme, por e kuptojnë që është një punë e vështirë prej mungesës sime pranë tyre. Por ajo që unë dëshiroj është që, çdo vajze dhe djalë në Shqipëri të ketë një jetë më të mirë, më shumë mundësi, kopshte e shkolla me kushte të mira, prindër që nuk shqetësohen për bukën e përditshme por u përkushtohen me dashuri dhe qetësi. Dhe e gjitha kjo është e mundur. Ndryshimi është i mundur. Na duhet vetëm të besojmë se gjërat mund të jenë ndryshe, nuk ka pse të jenë kështu, të besojmë te forca jonë e përbashkët për të shpalosur potencialin e jashtëzakonshëm, që vendi ynë, dhe njerëzit tanë, kanë. Unë besoj tek një e nesërme plot shpresë dhe mundësi reale këtu në Shqipëri, jo vetëm për një grusht të privilegjuarish, por për të gjithë shqiptarët dhe për fëmijët e tyre. Jam i bindur se ky ndryshim do të vijë shumë shpejt dhe do të jetë i pakthyeshëm”, theksoi kreu i demokratëve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author