Durrësi, një qytet i fundosur nën pushtetin e mafias

Aktualitet

Vidhet 2 herë prokuroria. Kërcënohet drejtori i Hipotekës. Tritol dhe plumba makinës së kreut të Keshillit Bashkiak. Arrestohet drejtori i Kadastrës, qeveria kërcënon prokurorin. Kreu i PS, sherr me grushta me sekretarin e Këshillit Bashkiak. Sot: dorëheqja e kryetares së Gjykatës dhe e drejtorit të Portit, dy aktet e fundit. 

Një lëvizje e fortë tektonike në pllakat ku lidhet politika me biznesin dhe me krimin e organizuar po ndodh në Durrës. Nuk është aspak sekret se ky qytet ka përplasjen më të madhe të interesave që maten në qindra milionë euro.
Ka pasuritë e mëdha të bregdetit, ka portin më të madh në vend, ku përveç tregtisë kryhet sigurisht dhe trafiku më i dendur ilegal. Ka çmimet më të larta pas Tiranës. Ka dhe grupet më të forta kriminale, të lidhur ngushtë me politikën.

Tërmeti i përplasjes së kaq shumë interesave ka dalë në sipërfaqe dhe e ka tronditur tashmë rëndë këtë qytet, në paradoks me banorët më të qetë e më të shtruar të vendit.

Duket se gjithçka nisi nga dobësimi i Dakos, që ishte figura qendrore e pushtetit aty, lëvizje që sjell aktorë të rinj në skenë, rrjedhimisht dobësimin e një pale e forcimin e një tjetre.

Këto zhvillime të forta, kryesisht të nëndheshme ose pas kulisave, kanë prodhur efekte me magnitudë të lartë këto javë.

Shkuarja para drejtësisë e drejtorit të Kadastrës. Dhe menjëherë procedimi i zevendësuesit. Më pas lirimi i tij. Një çështje ku u përfshi drejtpërdrejt Edi Rama. Me deklarata dhe presione. Eshtë e dukshme se qeveria nuk u investua në këtë histori për parime e vlera, të cilat në fakt i shkeli me qendrimet e papranueshme ndaj një pushteti tjetër, gjasme të pavarur, por u zhyt aty kryengulthi pikërisht për aferën e pronave, që ishte molla e sherrit.

Për disa hektarë të mirë në zonën e Gjirit të Lalzit.

Sot ka dhënë dorëheqjen drejtori i Portit. Një person që ishte aty si fluks i Ramës. Tare ka ikur duke lënë ca mesazhe të koduara. “Mirupafshim të gjithëve, të bukur e të shëmtuar”, ka shpallur ai. Pra ka lënë të kuptohet se aty ka një problem. Porti është nyja e madhe e perfitimeve, territori që kërkojnë ta kontrollojnë bandat e krimit të organizuar me përkrahje qeveritare.

Po sot, pa ardhur mesdita, ka dhënë dorëheqjen kryetarja e Gjykatës së Durrësit. Kryetarja e asaj gjykate që, kur dëshiron, jep pafajësi dhe i shpëton nga ligji, të fuqishmit dhe të lidhurit me pushtetin.

Pllakat tektonike në Durrës po lëvizin rëndshëm.

E qartë është se në këtë qytet nuk kemi të bëjmë me rregulla dhe sundim të ligjit. Por me luftë të ashpër xhungle, ku triumfon më i forti. Më i forti, është gjithnjë ai që ka qeverinë në krah.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?