Aktualitet

Përplasje në PS, Bushati: Nuk jam i vetëm, vendimet të vijnë nga baza e partisë, jo nga lidershipi

I konsideruar një nga zërat oponentë brenda PS, Ditmir Bushati, në një intervistë të gjatë për gazetën “Mapo” dhënë gazetares Blerina Gjoka ka folur për situatën e brendshme në PS.

Një ndër pyetjet që të gjithë e bëjmë në këtë moment, dhe e ka bërë edhe gazetarja, është nëse Ditmir Bushati ndihet vetëm.

Bushati thotë: ‘’Nuk ndihem vetëm, sepse e para PS-ja pa debat dhe pa diskutime është e pakonceptueshme. Nuk ndihem vetëm sepse në rast se do të flasësh me strukturat e PS kudo qofshin ata, nuk ka një anëtar të saj që nuk do të dëshironte të thoshte fjalën e vet për ekipin që do duhet ta përfaqësojë në këshillin bashkiak, në bashki, në Kuvend apo strukturat vendimmarrëse në PS.

Në fund të ditës pjesëmarrja në një parti politike ka të bëjë, jo vetëm me angazhimin, po dhe me zërin që ka secili prej anëtarëve në këtë proces. Një gjë të tillë e them dhe nga eksperienca ime personale në qarkun Shkodër, ku më shumë se sa opinionet personale të njërit apo tjetrit, vlen reformimi i partisë dhe plazmimi i disa proceseve, ku baza e partisë duhet të ketë rolin kryesor në vendimmarrje’’.

Sa i përket largimit të tij nga drejtimi i qarkut të Shkodrës dhe zëvendësimi i tij nga një person që u kap prej ligjit të dekriminalizimit (Valdrin Pjetri), Bushati i përgjigjet:

“Vijoj të mbetem i mendimit se përgjegjësia ligjore është individuale, por ne si drejtues të PS-së na takon të adresojmë përgjegjësitë politike duke zgjeruar radhët e vendimmarrjes në parti, duke bërë bazën e partisë pjesë të kësaj vendimmarrje; qoftë për trupat përfaqësuese në nivel vendor, por dhe për ato në nivel qendror dhe duke ia nënshtruar vendimmarrjet një mbikëqyrjeje sa më të imët nga ana e strukturave të partisë dhe komunitetit”.

“Unë jam anëtar i kryesisë së PS, jam deputet që në 2009-ën, jam duke ushtruar të gjitha përgjegjësitë e mia dhe pikëpamjet që unë kam parashtruar, qoftë në forumet e partisë, apo në publik, janë pikëpamje që unë besoj se e shëndoshin PS-në dhe klimën politike brenda radhëve tona. Në një parti politike njerëzit bëhen së bashku për të dhënë kontributin e tyre për çështje të ndryshme. Ne kemi diskutime e debate dhe për fenomene të tjera të politikës që janë normale brenda një familje politike. Nuk e kam konceptuar asnjëherë karrierën time politike brenda PS të lidhur me një situatë të caktuar”, thotë Bushati për gazetaren Blerina Gjoka.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?