Reja : Shpresoj që UEFA të dënojë Turqinë, do ktheheshim në rrugën e kualifikimit
Trajneri i Komëbtares Edi Reja nuk e fsheh gëzimin se Shqipëria mund të ketë dhe një shans të fundit për kualifikim në Euro 2020.
Në një intervistë për “Radio Sportiva”, Reja ka thënë se Kombëtarja ka treguar që ka një ekip që mund të ndeshet me këdo, ndërsa ka theksuar se grupi funksionon shumë mirë dhe ka mbështetjen e gjerë të tifozëve shqiptarë.
“Shkoi keq për ne në Turqi sepse ndeshjen e humbëm në minutën e 90-të për shkak të një budallallëku, por, kemi treguar se jemi një ekip që mund të ndeshemi me këdo. Jemi një kombëtare në rritje, por kemi edhe disa limite. Grupi funksionon dhe kemi edhe besimin e tifozëve shqiptarë. Duhet të ndryshoja shumë, duke afruar shumë të rinj. Kam aktivizuar edhe Kumbullën e Veronës. Në të ardhmen mund të bëhet një ekip i mirë, edhe pse fatkeqësisht na iku mundësia për t’u kualifikuar në Europian. Kumbulla ka zgjedhur Shqipërinë, pasi është i lidhur me vendin e tij. Ka luajtur me të gjitha moshat e Shqipërisë dhe prindërit ishin për ta parë. Çuditem si Italia nuk ia kishte hedhur sytë. Ata edhe ndoshta e kanë kërkuar, por tashmë ai ka zgjedhur”, tha Reja.
Ndërkohë, për veprimin e Kombëtares së Turqisë (përshëndetjen ushtarake pas golit ndaj Shqipërisë dhe Francës) Reja tha se ne kemi shansin të kualifikohemi në Euro 2020. Por trajneri i kuqezinjve nuk mohoi dhe faktin se Turqia mund “të shpëtojë” me një gjobë.
“Në lidhje me Strakoshën, më duhet ta vlerësoj situatën. Kemi edhe Berishën, ndaj jemi të mbuluar për portën. Është e vështirë të vendosësh. Në fund të këtij cikli do të bëjmë vlerësimet e duhura. Pas ndeshjes kundër Turqisë pamë që u rreshtuan dhe bënë një përshëndetje ushtarake. Ishim të befasuar. Janë gjeste që duhet të censurohen. Pavarësisht gjithçkaje, ata e bënë diçka të tillë edhe kundër Francës. Shpresoj që UEFA të marrë masa kundër Turqisë, që ndoshta do të na kthente ne në rrugën e kualifikimit. Përveç atyre shpresave egoiste që mund të kemi ne, mendoj se do ta kalojnë me një gjobë. Për Manaj më kishin thënë që ishte pak gjaknxehtë, por përkundrazi, po vë re një impenjim të madh dhe po mrekullohem. Atij i kërkoj të sakrifikojë në fushë dhe e në mënyrë konstante, ndaj jam i lumtur. Shpresojmë të vazhdojë kështu dhe të maturohet, pasi është 22 vjeç”, shtoi Edi Reja.