Integrimi europian është dështim i politikës dhe kosto e madhe për shqiptarët
Nga Alban Daci
Integrimi europian është kauza më e rëndësishme që kanë pasur shqiptarët nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot. Integrimi europian i Shqipërisë është kauza që është përdorur më së shumti nga politika qoftë si lëvdatat/triumf ashtu edhe si kritik/dështim. Shqipëria që nga fillimi i viteve’ 90 kishte nevojë thuajse urgjente për dy procese: 1. Ndërtimi i demokracisë 2. Integrimi europian Për fat të keq Shqipëria ka dështuar me të dyja, nuk bëri demokracinë e nuk realizoi integrimin europian. Politikanët shqiptarë kanë menduar se procesi i integrimit europian ishte i ndarë nga procesi i ndërtimit dhe kristalizimit të demokracisë. Demokracinë e kanë konsideruar si çështje të brendshme dhe si domonio eksluzive të tyren.
Në fakt integrimi europian ka qenë një proces i varur plotësisht nga procesi i demokratizimit të vendit e këtu mjafton të përmendim vetëm kriteret e Kopenhagen-it. Politikanët shqiptarë e kanë trajtuar procesin e integrimit europian si çmim personal që mund të fitohej për shkak te interesave të caktuara te liderëve të Europës ose mund të bëhej dhuratë për shkak të faktorëve gjeopolitik të rajonit. Shqipëria, me ndërrime pushteti, pa nderruar as metodën e as stilin e politik bërjes, ka pasur e ka që nga vitet 90 të njëjtën klasë politik, e cila doli në vitet e tranzicionit pikërisht me këto dy premtime të rëndësishme dhe pikërisht sot bëjmë një bilanc shumë negativ duke mos pas as anëtarësimin në BE e as ndërtimin e demokracisë funksionale. Dështimi i këtyre dy proceseve është çmimi i kësaj klase politik thuajse 30 vjeçare dhe po ashtu një kosto e madhe për shqiptarët. Kostoja më e madhe dhe e pa rikuperueshme është koha që kanë humbur tre breza shqiptarësh që nuk do e gjejnë më .
Sot, si asnjë vend në Botë, Shqipëria ka dy Opozita dhe po “pjellë” të tretën nga grupet parlamentare dhe realisht një parti-shtet që i ka të gjitha më në krye një lider legjendar e suprem. Realisht opozita më e madhe e Shqipërisë janë po shqiptaret, sepse 80% e tyre jetojnë të përjashtuar nga të drejtat dhe privilegjet për të qenë protagonistë të një shoqërie të shushatur dhe të manipuluar nga klasa politike. Në të vërtetë shqiptarët janë të përjashtuarit e mëdhenj nga e drejta për të zgjedhur, për tu zgjedhur, për karrierë, për të qeverisur apo pse jo për të bërë shkencë apo iniciativë të lirë ekonomike. Këto mbeten sfera eksluzive vetëm të kaste politike që tashmë nuk ka nevojë për qytetarë, sepse ato i konsideron vetëm numra dhe si të tillë i manupulon si të dojë e kur të dojë.
Dështimi i integrimit europian është një mesazh shumë i rëndësishëm dhe domethënës për shqiptarët. Të integrohesh në Europë do të thotë se ke nje klasë politike të integruar, që ke shtet të së drejtës, zhvillim ekonomik e model social funksional. Shqipëria me dështimin e integrimit europian dëshmon qartë se nuk gëzon asnjërin nga këto kritere. Pra, Shqipëria ka dështuar me modelin politik, qeverisës dhe me klasën politike protagoniste në këto 30 vite tranzicioni. Shqiptarët për të merituar atë që kanë nevojë duhet të ndryshojnë klasën politike duke bërë rotacion elitash dhe jo ndrim me konsensus të pushtetit siç ka ndodhur deri më sot. Nëse një nxënës ngelë disa herë, është përsëritës në shkollë nuk ka më iluzione se ai do të shkëlqejë në vazhdim. Kështu ne kemi një klasë politike, për hir të vërtetës të njëjtën, që ka 30 vjet që ngelë në klasë në proceset demokratike të vendit e për pasojë edhe ne procesin e integrimit dhe anëtarësimit të vendit në BE. Dihet nga historia se pushteti nuk dhurohet e po ashtu nuk ka luftë për pushtet pa kosto.
Prandaj, nëse shqiptarët mendojë se kjo klasë politike do të ik vetë për të hapur mundësinë e një procesi të ri elitash gabohen. Privilegjet e pushtetit e sidomos kur janë vetëm në funksion të personales e jo në shërbim të publikes nuk dhurohen e nuk merren me metoda institucionale, por rrëmbehen e zëvendësohen vetëm me lëvizje popullore e me demostrata pafund deri në largimin e kastës ekzistuese politike. Shqipëria është në krizë të thellë politike. Dakord! Në fakt Shqipëria nga fillimi i viteve 90 e deri më sot ka pasur e ka një politikë konfliktuale.
Ajo që është më e rëndë është se Shqipëria nuk ka sot një identitet demokratik politik. Për ta gjetur e realizuar këtë të fundit nuk janë te domosdoshme vetëm zgjedhjet, por duhet procesi i rotacionit të elitës politike e këtë mund ta bëjnë vetëm shqiptarët përmes lëvizjeve qytetarëve me nisma fillestare spontane, por me objektiv të qartë, largimin e kësaj kaste politike nga vendimmarrja. Shqiptarët nuk kanë çfarë presin më dhe nuk të pranojnë të humbin nga koha e tyre e çmuar për te jetuar në demokraci funksionale dhe si qytetarë europian të familjes së madhe europiane.