Kjo është Kosova/ Votohet e numërohet brenda ditës, liderët pranojnë humbjen

0

Ditën e djeshme u mbajtën në Kosovë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje erdhën si pasojë e dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit më 19 korrik, pasi u thirr në Hagë për të dëshmuar.

Ndërkaq, 5 kandidatë garuan për postin e kryeministrit: Ramush Haradinaj: AAK-PSD; Vjosa Osmani: LDK; Kadri Veseli: PDK; Fatmir Limaj: Nisma AKR dhe Albin Kurti: Vetëvendosje.

Procesi i votimit që nisi prej orës 07:00 dje në Kosovë dhe përfundoi në orën 19:00 ishte i qetë, veçuar një incidenti të vogël në veri, ku u ndaluan dy komisionerë serbë, pasi kërkuan të votohej me letërnjoftim serb.

Ndërkohë me të mbaruar procesi i votimit nisi menjëherë pa humbur kohë edhe numërimi i votave. Brenda pak orësh, pa kaluar mesnata teksa numërimi i votave ishte drejt fundit, rezulatti nxori fitues, liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin, i cili zbriti në sheshin më të madh të Prishtinës për të festuar fitoren.  

6 tetori i vitit 2019 e shënon fillimin e entuzsiasmit të tretë. I pari ishte çlirimi i Kosovës në qershorin e 99’ës, i dyti ishte shpallja e pavarësisë, ndërsa i treti është tetori dhe fitorja e Vetëvendosjes. Tash e hapim një kapitull të ri me faqe të bardhë, sepse ju jeni ata që na keni sjell këtu”, ka thënë Kurti.

Gjatë fjalës së tij Kurti nuk la pa përmenduar edhe kundërshtarët e tij. “Edhe kundërshtarët e mi në këto zgjedhje i falëndëroj për konstruktivitetin. Në veçanti dua ta falëndërojë zonjën Vjosa Osmani. Ajo me fushatën e saj ka inspiruar shumë gra që të aktivizohen në shoqëri, në ekonomi… Prandaj unë dua që të bashkëpunoj me Vjosën” , ka thënë Kurti.

Ndërkohë, nuk vonoi shumë dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli pranoi humbjen përmes një deklarate për shtyp nga selia e partisë.

Kemi ndarë momente të jashtëzakonshme bashkë. Anëtarëve dhe aktivistëve u them ndjehuni krenar me punën tuaj, se edhe unë ndjehem krenar me ju. Besimi im në ju është i palëkundur”, ka thënë Veseli.

Ndërkaq, vota e fundit e kutisë u  numërua mëngjesin e sotëm. Kështu, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 197,966 vota ose 25,79%. E dyta renditet LDK  me 192.300 vota ose 25,05% dhe e treta Partia Demokratike e Kosovës e cila ka marrë 162.342 apo 21.15% të votave.

Brenda një harku kohor jo më shumë se 24 orë në Kosovë përfundoi gjithçka dhe tani kanë nisur përgatitjet për qeverinë e re./Newsbomb.al. 

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author