“Po kjo vajza çfarë kërkonte në makinën e profesorit”

0

Nga Anisa Ymeri

Të shqetësohemi për VAJZAT dhe FAMILJEN më shumë se për zinxhirin e arit të ‘doktorit të shkencave’

Atë që denoncoi emisioni ‘STOP’ le të mos bëjmë sikur nuk e dimë që ndodh, por tjetër gjë është ta shohim me figurë e ta dëgjojmë me zë.
Veçse ta trajtosh thjesht dhe vetëm si histori korrupsioni në universitet, është banalitet.
Unë jam më shumë e shqetësuar për vajzat, mënyrën se si janë ‘mësuar’ dhe ‘mendojnë’ se mund të shkojnë drejt një diplome, pastaj drejt një pune, pastaj drejt një posti edhe më të lartë!

Ndaj le të merremi me vajzat dhe familjen dhe jo aq me defiçencën seksuale të një burri (se si ai ka shumë në Shqipëri, jo vetëm në auditorë por edhe në zyra institucionesh publike dhe private).

Mua më dhembin sytë çdoherë që shoh studente (që jetojnë në konvit apo shtëpi me qira) që janë të veshura nga koka tek këmbët me marka luksi (jo fake). Pyes veten se pse duhet të bëjnë gjithçka, të shesin edhe shpirtin vetëm për të veshur në këmbë një palë shapka me lesh (se kanë dalë në modë) dhe që nëse janë origjinale, duhet të kushtojnë ca.

Xhanëm, si është e mundur që një vajzë jo më shumë se 20 vjeçe, arrin të hipë në makinën e predagogut të saj, të nxjerrë një listë me provime dhe të bëjë sikur ai profesori është duke i rënë shumë n’qaf se po i kërkon favore seksuale.
Po mirë, këto vajzat / kjo vajza për çfarë shkoi në makinën e tij?
Mos mendonte se aty do të mbahej konferencë shkencore?

Monstruoziteti i një burri që do të bëjë seks apo të puthet me një studente, s’njeh kufij! E megjithatë unë jam më shumë e shqetësuar për vajzat dhe familjen! Për vajzat e disa brezave që sot janë ‘studente’ me lista provimesh, nesër do të jenë mësuese, punonjëse administrate, kompanish private…dhe do të jenë edhe NËNA që do të rrisin VAJZA dhe DJEM që me shumë gjasë do të sillen si kjo studendja e provimeve të mbartura dhe si ky pedagogu që kërkon një puthje që të mos vdesë.

Jam më e shqetësuar për VAJZAT, se që thoni ju, zinxhirë të trashë ari nuk ka vetëm ai ‘doktori i shkencave’ të Elbasanit por edhe ca ‘doktore shkencash’ në Universitetet e tjera të vendit, edhe në Tiranë! Madje kanë edhe këpucë me lëkurë gjarpri, çanta luksi, makina luksi po e po, deri edhe geta disa qindra dollarë.
Ja kështu!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author