PD ka reaguar pas deklaratës së Cakaj-t. Bardhi: OSBE skanoi shtetin privat të Ramës

0

Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, i cili tha se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 30 qershorit kritikonte më shumë opozitën.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, tha se nuk është përgjegjësi e opozitës pse KQZ ka shkelur ligjin, pse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor ishin nën presionin e qeverisë apo pse punonjësit e administratës u shantazhuan.

“Për herë të parë në historinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nga OSBE/ODIHR nuk specifikohet që zgjedhjet ishin demokratike. Për herë të parë specifikohet se veprime dhe sjellje të qeverisë, institucioneve të tjera përfshi gjykatën dhe prokurorinë, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me ligjin. Për këtë nuk mund të jetë përgjegjëse opozita. Opozita nuk ka asnjë përgjegjësi pse KQZ ka shkelur ligjet e shtetit, pse gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kanë qenë nën presionin e qeverisë, pse punonjësit e administratës u shantazhuan dhe kërcënuan. Raporti skanon të gjithë shtetin privat që ka ndërtuar Edi Rama”, tha Bardhi ndër të tjera.

Më tej, ish-deputeti Bardhi deklaroi se raporti i OSBE nuk mund të ishte për opozitën, pasi ndërkombëtarët nuk monitorojnë opozitën, por evidentojnë qartësisht përgjegjësinë e qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Opozita kërkon vetëm dënim të kriminelëve, siç dëshmuan dosjet “184” dhe “339”. Rama jo vetëm që nuk është distancuar nga hajdutët e zgjedhjeve, por kryehajdutin e Dibrës e ka marrë në mbrojtje, duke e bërë kryetar të administrimit zgjedhor. Raporti nuk mund të ketë qenë më shumë për opozitën, siç u shpreh zëdhënësi i Ramës, pasi raporti nuk është për të monitoruar opozitën. Raporti nuk ka nevojë për interpretime, është i qartë dhe evidenton qartësisht përgjegjësinë e qeverisë për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author