Palmer/ Vangjush Dako nuk është një çështje e qeverisjes së kryeministrit Rama

Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer tha se ndalimi i hyrjes së ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako në SHBA nuk është një çështje e qeverisjes së kryeministrit Rama por duhet të shihet si veprim i SHBA kundër praktikave korruptive.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Palmer pranoi se autoritetet në SHBA kanë pasur “dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako” dhe shtoi se SHBA kanë autoritetet e nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të këtyre fenomeneve.

Mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj. Do të shpresoja që ky veprim të demonstronte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar kundër korrupsionit dhe për të ndërmarrë veprime atje ku ka prova të forta dhe bindëse të praktikës korruptive. Ky është një autoritet që ne e kemi. Është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë” tha Palmer.

I pyetur nga gazetarja se çfarë tregon përfshirja e Dakos në korrupsion për qeverisjen e Kryeministrit Rama, zoti Palmer i ndau të dy çështjet dhe tha se kjo duhet të shihet si reagim i SHBA ndaj praktikave korruptive.

Nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik” deklaroi Palmer.

Si çështjen më shqetësuese në vend, Zëvendësndihmës Sekretari cilësoi mungesën e Gjykatës së Lartë pasi sipas tij është e rëndësishme që çdo sistem të ketë instrumentet e kontrollit. Këtë çështje zyrtari amerikan pranoi se ja ka shtruar kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha kur ishte në detyrë. Ai mohoi akuzat se SHBA po i japin mbështetje Ramës dhe theksoi se “Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë”.

Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respekt për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin

Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë” u shpreh zyrtari amerikan.

Palmer foli edhe për zgjedhjet e 30 Qershorit dhe faktit nëse ato duhen përsëritur. Kjo është një gjë që duhet ta vendosin autoritetet shqiptare sipas tij por ai theksoi se SHBA ka rezerva reale në lidhje me zgjedhjet pasi “procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote”

“Kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim.

Unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare” tha në fund të intervistës Palmer.