‘Intelektualë’ pa parti, në mbrojtje të piramidës dhe asnjë ditë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Aktualitet

Nga Red Varaku

‘Intelektualë’ pa parti, në mbrojtje të piramidës dhe asnjë ditë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar.

Artan Shkreli: E gjithë kjo është një furi marrie, pasi nuk besoj se në situata normale, sot në Europën e shekullit XXI, ndokush ndërton apo prish për motive ideologjike. Piramida veç të tjerash është produkt i arkitektëve dhe inxhinierëve shqiptarë, të cilët në një përpjekje mbi mundësitë e tyre që i përcaktonte koha kur jetuan, ia dolën që në të mbramë të atij regjimi të rrëzonin soliditetin e murit vertikal dhe të dritareve të njëmbinjëshme, e mundën të ofronin hapësirën më të madhe unike në interier të ndërtuar ndonjëherë në një objekt laik te ne.

Leart Kola: Piramida është institucioni më pak domethënës i diktaturës shqiptare. E ndërtuar pa aprovimin e Enverit (meqenëse ai kishte vdekur), ajo ndërtesë më shumë ishte tregues i perëndimit të atij sistemi, sesa i forcës së tij. Historia e Piramidës është historia e post ’90-s, e grupeve rock, e rinfesteve, e puthjes së parë të shumë të rinjve, e shumë rebelëve e për shumë dekadentë. Piramida më shumë se gogoli autokrat ishte parku i lojërave të një Tirane të kioskëzuar, ku 30-vjeçarët e sotëm, më shumë se sa për forcën ideologjike, e mbajnë mend për grisjen e pantallonave gjatë rrëshqitjeve në kohë të adoleshencës.

Artan Lame: Shembje pas shembjeje, në një kohë që, i vetmi shans që ka një sistem për t’u treguar më i avancuar se paraardhësi, është jo ta tejkalojë në shembje, por në ndërtim.

Rexhep Qosja: Shumë i madh është numri i atyre që në kohën e komunizmit as nuk ishin të përndjekur, as nuk ishin të burgosur, por që nuk ngurrojnë që, duke u ngritur tash vonë, pas rënies së komunizmit, kundër komunizmit dhe kundër Faraonit dhe kundër Piramidës, shpresojnë të përfitojnë sa mund të përfitohet prej servilizmit të sotëm. Nuk ka gjë më të rrezikshme, sesa megalomania e të vegjëlve

Sokol Balla: Piramida nuk mund të krahasohet në simbolikë me statujat e Budës në Afganistan, por as Berisha nuk është burrë për Historinë. Në histori nuk hyhet me dinamit. Të paktën jo në pavijonin e demokracisë.

Skënder Minxhozi: Me shkatërrimin e Piramidës do të kemi rastin të shohim sesi fondet që mund të ishin përdorur për të gjitha ato objekte që realisht i duhen një kryeqyteti, do të shkojnë për të ndërtuar godinën e atyre që shpesh na bëjnë që të marrim telekomandën e televizorit, e të arratisemi nëpër stacionet e huaja, për shkak të sherreve e mynxyrave që dalin nga goja e deputetëve tanë.

Fatos Baxhaku: Kur u ndërtua, u ndërtua si simbol i Enver Hoxhës. Kur shembet, mënyra e të menduarit është po e njëjta, vetëm se e kthyer në kahe të kundërta. Thelbi është një dhe vetëm një: marrëzia e madhështisë.

Adri Nurellari: Kur pushtetarët nuk janë të aftë të mbjellin, nxisin e marrin konsensus edhe për një gjë kaq teknike dhe që na përket të gjithëve, siç është ndërtesa e Parlamentit të ri, ç’mund të presim pastaj nga realizimi i të tjerave nismave që kërkojnë konsensus të gjerë, siç janë për shembull reformat drastike që nevojiten për gjyqësorin në kuadër të integrimit europian!?

Aleksandër Çipa: Shembjet e pallogaritura dhe sidomos ato që mbartin pasion politik, janë fatura që duhen ekspozuar dhe tundur para syve të zotëruesve të vendimmarrjes. Pësimtari popull, nuk ka kurrë një aksion llogarikërkimi për faturat që lënë apo marrin vendimet autoritariste.

Klement Kolaneci: Gjëja më e thjeshtë është ta prishësh. Është kollaj të prishësh dhe vështirë të ndërtosh. Unë nuk i trembem interpretimit të karakterit politik, por s’më takon mua ta gjykoj atë. Unë nisem me logjikën e thjeshtë që nuk janë njerëzit që gjykojnë kohën, është koha që i gjykon njerëzit.

Karsten Ankjaer Jensen: Piramidën nuk e ndërtoi Enver Hoxha apo e bija. Punëtorët shqiptarë të palodhur dhe të shtypur e ndërtuan. Ata edhe paguan për të. Ashtu siç është rasti i piramidave në Egjipt. Besoj fort se do të ishte një gabim i rëndë të rrafshohet një pjesë e rëndësishme e historisë shqiptare. Dikush mund të mos e pëlqejë të kaluarën, por duhet ta respektojë atë, apo të paktën ta pranojë atë.


Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?