Valdrin Pjetri, “sheiku” që kërkon karrigen e kryebashkiakut. Pasuria që zotëron i besuari i Ramës

Në 13 gusht do të ngjitet në karrigen e kryebashkiakut të Shkodres, gjithmonë nëse gjërat shkojnë siç i ka parashikuar Valdrin Pjetri dhe partia socialiste. Shumë vetë kanë pyetur prej ditës së parë që Shkodres ju servir nga Edi Rama si kandidat për bashkinë, se kush është Valdrin Pjetri, cili është kontributi i tij në PS, lidhjet me Shkodres dhe nga buronin të ardhurat e “milionerit” të ri që po na dhurohej kandidat për dhënderr.

Pjetri, më parë ka qënë pjesë e administratës publike ku ka mbajtur disa poste kyçe, si: kryeregjistrues në Zyrën Qendrore të Pasurive të Paluajtshme, apo drejtor i Menaxhimit të aseteve në Ministrinë e Mbrojtjes. Detyra e fundit, përpara se të kandidonte për kryetar bashkie, ishte ajo e prefektit të Shkodres. Nëse i bën një verifikim të ardhurave të tij nga puna në administratë dhe pasuri të tjera, zbulon se Pjetri është edhe një “sheik” shqiptar, me të ardhura të mëdha, që shënojnë po ashtu edhe luhatje të forta, gjithmonë bazuar në deklarimet që vetë ai ka bërë në ILDKPKI.
Pasuritë e patundshme, makina dhe aksione

Pasuria më me vlerë e Valdrin Pjetrit është ajo e paluajtshme dhe një prej tyre është apartamenti në qendër të Tiranës, me vlerë mbi 219 000 euro dhe garazhin me vlerë 26 000 euro. Apartamentin 122.86 metra katror bashkë me garazhin që kapin vlerën totale prej 245 mijë eurosh, Pjetri thotë se i ka blerë me të ardhura nga familja dhe të afërmit. Pjetri deklaron edhe një objekt për qëllime hotelerie, në komunën Farkë, për ndërtimin e të cilit ka paguar 7.800. 000 lekë. Edhe me blerjen dhe shitjen e automjeteve ai deklaron të dhëna interesante. Në 2015-n, Pjetri ka shitur makinën personale “Mercedes Benz” për 24.000 euro dhe ka blerë një makinë ‘Volksëagen Phaeton” për 600.000 lekë të cilën dy vite më vonë, e shet me çmim më të lartë sesa e ka blerë. E njëjta gjë më automjetin tip Audi, që deklaron se e ka blerë në vitin 2018 me 600 000 lekë dhe brenda po këtij viti e ka shitur për 7500 euro , thuajse 2500 euro më shumë se çmimi I blerjes. Valdrin Pjetri deklaron se është aksioner me 20% në një kompani ndërkohë që ka blerë një kuotë kapitali prej 13,3 % me shumën prej 3.894.492 lekë.

Detyrimet
Për objektin e hotelerisë që është ndërtuar në 2015-n, Pjetri deklaron se ka shpenzuar 7 800 000 lekë, nga të cilat 5.323.000 i ka marrë si kredi nga banka në vitin 2014 dhe pjesën tjetër, hua nga i ati. Është interesante që kredinë bankare prej 5.323.000 lekësh Pjetri e deklaron të shlyer brenda një viti, sërish me lekët e të atit. Gjithashtu në vitin 2018, Pjetri deklaron se ka pasur një detyrim prej 20.000 eurosh ndaj një shoqërie për ndërtimin e një apartamenti, por për shkak se ky apartament nuk është ndërtuar kurrë dhe kontrata është prishur në mënyrë të njëanshme, ky detyrim bie poshtë. Në deklarimin e fundit që Valdrin Pjetri ka dorëuar pranë rezulton ILDKPKI mungon informacioni nëse e ka shlyer huanë e marrë nga babai i tij, ashtu siç nuk figuron asnjë llogari apo depozitë bankare. (Te dhena keto te nxjerra nga faktoje).

Tashmë dhendrri i ri i Shkodres po ngjitet në karrigen më të lartë me vetëm 16 mijë vota, por edhe me një pasuri marramendese, për të administruar një qytet, që ka jo pak probleme si në menaxhim, ashtu edhe në investime. Se si do të ndryshojë pasuria e Pjetrit pas uljes në karrigen e rëndësishme do të mbetet për tu parë hap pas hapi, por një gjë është e qartë, se “sheiku” i ri do të kërkojë të mos çalojë edhe në këtë mes./ShkodraNews