Braçe paralajmëron largime të shumta nga administrata

0

Largime të shumta nga administrata pritet të ndodhin. Zëvendës kryeministri Erion Braçe raportoi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve mbi sjelljen dhe veprimtarinë e administratës shtetërore gjatë zgjedhjeve të 30 qershorit.

Në këtë seancë dëgjimore ai paralajmëroi marrjen e masave ndëshkuese ndaj të gjithë punonjësve të administratës publike të cilët u përfshinë në akte të dhunshme gjatë fushatës zgjedhore, sidomos ata që dhunuan KZAZ-të.

“Janë marrë masat për nisjen e procesit disiplinor deri në largim nga administrata publike të nëpunësve që u përfshinë në akte të dhunshme gjatë fushatës zgjedhore”, tha numri dy i qeverisë.

Braçe tha se task-forca e ngritur posaçërisht për zgjedhjet e 30 qershorit, ka monitoruar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare apo logjistike të administratës gjatë procesit zgjedhor.

“Gjatë orarit zyrtar të punës është e ndalur pjesëmarrja në veprimtari politike, në fushatë zgjedhore ose parti politike. U monitorua po ashtu veprimtaria e nxënësve gjatë orarit mësimor dhe nuk rezultoi asnjë rast i përfshirjes së tyre në fushatë elektorale. Jemi në fazën e mbledhjes së të dhënave për hartimin e raportit përfundimtar i cili do të përfshijë gjithë periudhën zgjedhore. Mirëpresim raportimin e rasteve kur këta nëpunës të administratës civile janë përfshirë në akte gjatë procesit të administrimit zgjedhor të ndaluara nga ligji dhe pa asnjë diskutim do t’i largojmë nga shërbimi civil”./ Opinion.al200       

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author