ASISTENCA SOCIALE, MANASTIRLIU: HIQET KUFIRI MAKSIMAL I NDIHMËS EKONOMKE

0

Ligji i ri për asistencën sociale konsolidon reformën e nisur në skemën e ndihmës ekonomike, duke hequr tavanin e pagesës së ndihmës ekonomike.

“Heqja e tavanit prej 80 mijë lekë do të sjellë mundësinë për rritjen e masës së ndihmës ekonomike për familjet më në nevojë dhe familjet me shumë fëmijë”, u shpreh ministrja Manastirliu gjatë prezantimit të projektligjit të ri të asistencës sociale, në Komisionin e Shëndetësisë në Kuvend.

Duke theksuar se reforma e deritanishme ka hequr kriteret përjashtuese për përfitimin e ndihmës ekonomike, ngriti sistem të digjitalizuar pikëzimi për të targetuar familjet më të varfra duke shmangur abuzimet, Manastirliu tha se ligji i ri lehtëson akoma më shumë qytetarët për të marrë pagesat në kohë.

“Projektiligji i ri për asistencën sociale shmang burokracitë, siç është miratimi i listës së përfituesve nga Këshillat Bashkiakë, duke hequr një hallkë të panevojshme tanimë që sistemi është i digjitalizuar, aq më tepër që mos mbledhja në kohë e këshillave bashkiakë, shpesh sillte vonesa në marrjen në kohë të pagesave të ndihmës ekonomike”, tha Manastirliu. Ndërsa Këshillat Bashkakë do të vendosin për kriteret dhe listën e përfituesve nga fondi 6% që kanë në dispozicion për familjet që nuk përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike.

Projektiligji i ri për Asistencën Sociale parashikon kufizime në kohë të qëndrimit brenda skemës së ndihmës ekonomike me qëllim për të nxitur përfituesit në moshë aktive pune për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet ofrimit të mundësive për punësim dhe formimit profesional. Në projektligj parashikohen gjithashtu edhe arsyet kur një familje përjashtohet nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike për 6 muaj deri në 1 vit, që nga deklarimi i rremë deri te refuzimi i punës së përshtatshme për personat në mosha aktive pune.

Projektligji i ri i asistencës sociale përfshin edhe dy programe të tjera sociale, më konkretisht programi i aftësisë së kufizuar dhe bonusi i bebes.

“Ky projektligj parashikon sistemin e ri të vlerësimit bazuar në modelin bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar për përcaktimin e pagesave cash, me ekipe vlerësimi multidisiplinare të përbërë nga mjekë dhe punonjës socialë” – tha Manastirliu.

Përfshihet në ligjin e ri të asistencës sociale edhe programi i bonusit të bebes për çdo të porsalindur: 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 lekë për fëmijën e dytë, 120,000 lekë të reja për fëmijën e tretë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author