FILLIMI DHE FUNDI I NJË DIKTATURE!

Nga Alban Daci

Si fillim, ç’janë diktatorët dhe diktaturat! Nuk ka një rast në botë që diktatura të ketë ardhur që në fillimet e saj, si e tillë. Ajo, thuajse, gjithmonë ka ardhur në formën e një shprese për shpëtim, në formën e një përmbysje të një pushteti, si një tentativë për të sjellë ndryshimin. Diktatorët, në fillimet janë e tyre si engjuj dhe diktaturat po ashtu shfaqen si format më demokratike dhe me pro qytetarëve. Diktatorët janë persona që kanë lidhje manjakale me pushtetin, e duan të gjithin për veten e tyre, absolutisht të gjithin dhe në formë absolute.

Diktatorët mendojnë se janë më të mirë, të përjetshëm dhe të pazëvendësueshëm. Ata besojnë se populli është i detyruar t’i dashurojë në extremis, përjetësisht dhe t’u falë nga jeta e tyre, për të jetuar në përjetësi. Diktatorët kanë alergji nga liria e fjalës, liria e shtypit, liria e mendimit dhe nga çdo formë lirie. Diktatorët kanë alergji nga zgjedhjet e lira, ata i përdorin ato për të propaganduar mbështetjen popullore 100%, pse jo me dëshirën e madhe për të pasur edhe konsensusin e të vdekurve, ku bëjnë pjesë edhe të pushkatuarit. Diktatorët urrejnë mosbindjen! Atyre duhet t’u binden edhe kafshët, pemët e me raste pse jo edhe vetë Zoti. Diktatorët nuk kanë dashuri për askënd, por ato duan e kërkojnë t’i dashurojnë të gjithë qëniet e tjera. Dashuria e të tjerëve për të është një formë obligimi dhe në të njëjtën kohë një formë nënshtrimi.

Në momentin që diktatorët besojnë se kanë arritur maksimumin e tyre, duke u konfirmuar Zot e hyjnore, në ato momente ato merren zvarrë nga turma popullore. Diktatorët, thuajse, gjithmonë në histori kanë vdekje tragjike, duke u gjykuar në publik nga populli, që i dhuroi besimin pikërisht atij. Populli ka kujtesën më të madhe në botë, ai mban mend gjithçka dhe thuajse nuk harron kurrë. Një popull i shtypur është një tsunam i vërtetë i mbushur me urrejtje e zemërim e shpërthimi i tij është i papërmbajtshëm dhe i pandashëm nga asnjë lloj diktatori, pavarësisht madhështisë apo çmendurisë së tij. Diktatorët, në momentet që besojnë se e kanë fituar betejën me popullin, janë drejt rrëzimit dhe eliminimit të sigurt. Fjalimi i Edi Ramës pas mbylljes së zgjedhjeve të 30 qershorit m’u duk njëlloj si fjalimi i diktatorit rumun para turmës prej 100 mijë qytetarësh, të cilët ishin aty, në fakt, jo për ta dëgjuar atë, por për ta rrëzuar dhe për ta dënuar live e pa mëshirë. Edi Rama mund të marr 61 bashki, ashtu siç mori zgjedhjet në 1991, Ramiz Alia, por marrja e këtyre bashkive është de facto edhe fundi i tij politik prej një diktatori.

Bojkotimi i pjesëmarrjes në zgjedhje nga qytetarët është hapi i parë i qartë i zemërimit të popullit kundër tij. Dallga e tsunamit të zemërimit, dalëngadalë po rritet dhe po i afrohet bregut të pushtetit. Diktatura mund të zhdukë me dhunë, manipulime e me forcë çdo formë opozitarizmi, por nuk mund të zhdukë, kurrsesi dhe asnjëherë, shpirtin rrebelues të qytetarëve për të drejta dhe liri. Zgjatja e një diktature shton vuajtjen e njerëzve të thjeshtë, rrit zollumin e saj, por, në të njëjtën kohë përgatit fundin e saj ekstrem. Një lider si Basha, mund të ketë shumë të meta, gabime, sepse edhe ai është qënie njerëzore, por tek ai nuk duket se ka asnjë dëshirë apo ëndërr për të qenë diktator, për të qenë i përhershëm dhe për të sunduar në dhimbjen e njerëzve të thjeshtë. Nëse Basha do të kishte qoftë edhe një orientim sa do të vogël prej diktatori, ai do i kishte frymëzuar dhe udhëhequr njerëzit drejtë dhunës dhe hakmarrjes. Megjithatë, ai edhe në momente që ndoshta kishte arsye të ishte agresivë, ai ka zgjedhur rrugën e politikës me mjete demokratike, për t’i rezistuar deri në fund revanshit të diktaturës të sapo instaluar.

Një gjë është e sigurt se lider si Basha janë në rritje dhe në ngritje. Koha është dëshmitare e proceseve, aktorëve dhe ngjarjeve e me siguri ajo do të japë të drejtë. Nuk ka të huaj që ndërton modelet shoqërore të një vendi sovran, nuk ka të huaj që ndërton apo shkatërron shpresën demokratike të një vendi. Atë mund e duhet ta bëjnë vetëm qytetarët që janë po vetë sovrani. Shpresa për demokraci dhe për një të ardhme europiane duhet të jenë frymëzimi dhe vendosmëria e gjithsecilit prej nesh për të qenë qëndrestarë! Shqipëria është e shqiptarëve e demokracia bëhet nga shqiptarët e në shërbimin të shqiptarëve. Pushtetet diktatoriale janë agresivë, asbolutë, por gjithmonë mbeten të përkohshëm dhe fundi i tyre është gjithmonë në duart e njerëzve të etur për liri dhe të lodhur nga padrejtësia.