Balla: Ja kur ngrihet komisioni hetimor për shkarkimin e Presidentit

Nga studio e News24 në Elbasan, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla foli për situatën politike, iniciativën e maxhorancën për shkarkimin e Presidentit dhe zgjedhjet e së dielës.
Balla tha se shqiptarët e kanë fituar betejën me 4 politikanë të korruptuar, duke iu referuar Presidentit Ilir Meta, ish-kryeministrit Sali Berisha, kreut të PD-së Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi për të votuar në zgjedhjet e së dielës më 30 qershor.

Ai foli edhe për komisionin hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, për të cilin tha se do ngrihet 10 ditët e para të korrikut.
“Është një procedurë e vendosur në afatet që përcakton Kushtetuta dhe rregullorja e Kuvendit. Rregullorja përcakton që brenda 2 javëve nga marrja e njoftimi, komisioni i ligjeve përgatit raportin dhe e depoziton, e brenda 7 ditëve Kuvendi merr vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit. Brenda 10 ditëve të para të korrikut do të ngrihet dhe komisioni hetimor për shkeljen e rëndë nga ana e Presidentit të Kushtetutës. Procesi kalon edhe përmes Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PS.

Në lidhje me pjesëmarrjen në votime të dielën, Balla tha se në Shqipëri pjesëmarrja në zgjedhjet vendore ka qenë gjithmonë poshtë 50%. “Vapa patjetër që ka ndikimin e vet por shqiptarët e dinë dhe e ndiejnë përgjegjësinë që mbartin me votën e tyre. Njëherë në 4 vjet ke të drejtën të kontribuosh me votën tënde. Shqiptarët kanë fituar betejën ndaj 4 politikanëve të korruptuar”, tha Balla.

I pyetur nëse ka më kohë për dialog me opozitën dhe një zgjidhje të situatës, Balla tha se pas zgjedhjeve maxhoranca ka gatishmërinë për të dialoguar me këdo.
“Pas përfundimit të zgjedhjeve vendore dhe mbylljes së këtij procesi të rëndësishëm zgjedhor ne kemi thënë gjithmonë që kemi gatishmërinë për të dialoguar me këdo, qoftë me opozitën institucionale, atë në kuvend por qoftë dhe me opozitën rrugore.
PD në komisionin e reformës zgjedhore të ketë të drejtën e vetos në këtë komision. Në një anë PS dhe në krahun tjetër deputetët e rinj të opozitës në Kuvend por edhe një përfaqësues i PD ka gjithë mundësinë.

Disponibiliteti për dialog pas zgjedhjeve ka qenë dhe mbetet i vijueshëm por asnjëherë dialog mbi parimet e Kushtetutës”, deklaroi Balla.

Ai i bëri thirrje edhe kreut të PD-së të votojë të dielën.
“Zgjedhjet të dielën edhe vetë Lulzim Basha e di se do të bëhen. I bëj thirrje Bashës të votojë një prej kandidatëve në Tiranë”, u shpreh ai.

I pyetur a ka përgjegjësi maxhoranca nëse do ketë përplasje të dielën, Balla iu bëri thirrje shqiptarëve ta kthejmë në një ditë feste të demokracisë.
“Janë mbi 30 parti që marrin pjesë në këto zgjedhje. Është shumë e rëndësishme që e drejta çdo subjekti politik për të garuar dhe e drejta e çdo shtetasi që ka mbushur 18 vjeç të garojë dhe e çdo shqiptari mbi 18 vjeç të votojë. Data 30 ka qenë afati i fundit i mundshëm. Në datë 30 qershor iu bëjmë thirrje gjithë shqiptarëve ta kthejmë në një ditë feste të demokracisë. Ashtu si çdo individi të gënjyer nga mendja e çoroditur e Lulzim Bashës dhe babait të tij politik që të heqin dorë nga çdo lloj skenari. Numri i atyre që do iu binden këtij urdhri të mbrapshtë do të jetë shumë i vogël.
Nuk besoj që askush nuk do të rrezikonte qoftë dënimin me burg por kujtoj se kushdo që dënohet për këto vepra penale, nuk gëzon më të drejtën të zgjidhet.
Jemi duke konsideruar edhe heqjen e përkohshme të së drejtës për të lëvizur jashtë vendit.
E kam parë dhe në Elbasan që shumë që ishin pjesë e protestave janë tërhequr sepse e drejta e votës është një e drejtë kushtetuese”, tha Balla.

Ai iu bëri thirrje edhe qytetarëve të Elbasanit të marrin pjesë në mbylljen e fushatës.
“Do doja t’i ftoja dhe njëherë populli ne nderuar të Elbasanit të jemi të gjithë së bashku edhe sot pasdite por edhe më 30 qershor për t’i treguar Shqipërisë se nuk është Elbasani për të cilin flet Lulzim Basha por është Elbasani i njerëzve të kulturës”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author