Klement Balili kërkon lirinë në Apel

Klement Balili i etiketuar nga mediat e huaja si “Eskobar i Ballkanit” u dënua në fillim të këtij muaji me 10 vite burg, ndërsa tani kërkon lirinë në Gjykatën e Apelit. Sipas avokatëve, ai nuk ka lidhje me trafikun e drogës dhe se prokuroria nuk ka prova për të vertetuar akuzat.

Pritet hedhja e shortit për të përcaktuar trupin gjykues në Apel dhe seancën e parë. Kujtojmë se në Shkallë të Parë, mbrojtja e Balilit pretendoi se numri që prokuroria thotë se është i tij, në të vërtetë nuk vërtetohet që i përket Balilit.
Për rrjedhojë, tha mbrojtja edhe personi që del në përgjime nuk është Klement Balili. Ndërkohë për numrin e pasaportës, avokati tha se dikush e ka dërguar qëllimisht për të implikuar klientin e tij.

Por pavarësisht pretendimeve, treshja gjykuese në Shkallë të Parë e gjeti fajtor Balilin për akuzat e ngritura nga Prokuroria dhe e dënoi atë me 10 vite burg. Balili u dënua për trafikimin e rreth 678 kilogramë kanabis, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe fshehje të pasurisë.