“Do ta puthja qiellin”-Poezi nga Eva Rako.
“Det”
Një det i trazuar brengash fundosi zemrën time,
thellë, në ujëra të dëshpëruara trishtimi.
U zhyta,
Dhe trupi im e preku fundin e detit.
Dëshpërimisht thirra derisa nuk pata më frymë,
por asnjë zë shprese nuk depërtoi deri në sipërfaqe.
Mbeta aty,
E kështu në detin e lotëve të mi,
u mbyta.
Sot, kohë më vonë,
Zemra ime vazhdon të jetë ende e fundosur aty,
Si një anije e rrënuar,
e ngrënë nga dhimbja,
e dënuar në harresë.
Tani, në breg, përplasen dallgë kujtimesh,
të egërsuara, gërvishtin shkëmbinj,
thërrasin për ndihmë.
“Një shpirt është fundosur”!
Por zë nuk ndihet.
E mandej deti,
i lodhur, i vetmuar,
hesht.
Fle…
Lule të bardha notojnë mbi të…
“Natë”
Nata tërheq zvarrë kujtimet.
Lotët lajnë rrugët e zëna nga mëkatet.
Heshtja dhemb.
Asnjë fjalë, asnjë psherëtimë.
Në shpirt më rëndon pendesa, e rëndë si një gur.
Nata ma ka fshehur dëshpërimin.
Në cepa të syve dhimbja kristalizohet;
Në cepa të buzëve buzëqeshja shuhet.
Dashuria ka humbur rrugën,
Apo kushedi, ndoshta është arratisur.
Dhe endet si unë, natën, një strehë të kërkojë…
Në harresë.
Kthehet çdo mungesë;
E nëse shumë të kam munguar,
Dije se dikur do të më harrosh…
Çdo harresë
E shuan ekzistencën;
E nëse ende s’më ke harruar,
Dije se një ditë ekzistencën time do ta zëvendësosh…
Me harresë
Mbytet çdo kujtesë;
Zëvendësohet nga një tjetër ekzistencë,
E dije, se në mungesën time, atë do ta dashurosh…
Do ta puthja qiellin
Nëse mbi re do të shkruhej emri yt,
E nëse në diell do ndriçonte fytyra jote
Rrezet e flokëve do ia ledhatoja,
Duke i pëshpëritur sesa shumë më mungon ti.
Gjumi do më zinte pastaj mes yjesh.
E në mëngjes, do zgjohesha prej përqafime ëndrrash,
Plot dritë, të ndriçuara nga ty.
E nëse kjo do të ishte veç një ëndërr
Do doja të mos zgjohesha kurrë,
Duke perënduar bashkë me diellin tim,
Derisa një ditë bashkë të rilindnim përsëri e përsëri…
Më thanë që pija të bën të harrosh.
Këtë gjë e besova dhe fillova të pi.
Doja t’i mbysja plagët, zhgënjimet,
Të mos e kujtoja më botën.
Thjesht për veten kërkova ca çaste qetësi.
Unë e deha zemrën,
Doja t’i helmoja kujtimet, edhe lotët…
I zbraza gjithë gotat, e i theva në fund të shpirtit tim.
Por ah, harruan të më thonin
Se dehja, turbull flet të vërtetën
E pija s’e shuan dot brengën…
E kështu, si rrënojat e harruara, të pajeta,
E gjeta veten të shembur,
Duke qarë përsëri… e përsëri…
Në shpirtin tim bën ftohtë…
Ngrica ka tharë dhe lotët, dhe fjalët, dhe zemrën…
Heshtja është bërë akull,
Vetmia është bërë qiell i paanë…
Kam ftohtë në shpirt,
Dielli s’e ngroh më as trupin tim.
Ka ngrirë bota, njerëzit, ëndrrat,
Mbi siluetën time të zbrazët
Veshur mbaj velin, plot trishtim…
I trishtë shiu i sotëm
Ethshëm pikonte nga sytë e mi.
E unë si statujë e ngurtë
Nuk ndieja as ftohtë, as mërzi…
Sa i trishtë shiu sot;
Sikur kishte veshur shpirtin tim,
Dhe nëpër rrugë ecte furishëm
Duke pikuar mbi njerëzit, vetminë…