Balla: Pas 48 orësh do marrim rekomandim pozitiv

Kryetari i Grupit Parlamentar në PS Taulant Balla i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se pas 48 orësh Shqipëria do të marrë rekomandim pozitiv për hapje të negociatave me BE-në.

“Ndërkombëtarët kërkojnë që Shqipëria të shkojë në BE.  Po ashtu, ndërkombëtarët duan që këtu të bëhet shtet dhe e dinë mirë se shtet bëhet vetëm me integrim. PS e ka thënë qartë: Ne nuk heqim dorë nga reforma në drejtësi. Çdo tërheqje e jona do të thotë tërheqje nga reforma në drejtësi. Sot kryetari i parlamentit u dënua me 3.5 vjet burg për shkak të një procesi të filluar pak kohë më parë. Shqiptarët mbështesin reformën në drejtësi. Është e qartë se PD dhe LSI nuk e duan reformën.

Pas 48 orësh Shqipëria do të marrë rekomandim pozitiv për hapje të negociatave. Kjo sepse qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka bërë punë të madhe për shtet të së drejtës dhe për integrim të vendit për në BE, me reformat që janë sjellë në tavolinë. Nuk po them se me rekomandimin pozitiv Shqipërisë i mbaruan hallet, por është bërë e rëndësishme për integrim më tej për në BE. Ndërsa meraku i Bashës dhe opozitës është reforma në drejtësi”, tha Balla.