Puthje, përqafime, prekje homoseksuale në skenën e Teatrit. VIDEO

“Nuk kam asnjë ndjenjë seksuale për ty, asnjëherë s’kam pasur”. Kështu nis shfaqja, e pa u hapur ende perdet, ai, Xhoi Pit, i drejtohet bashkëshortes së tij, të cilën po e braktis për një mashkull.

Me skenografi minimaliste, të thjeshtë e hera-herës të ftohtë, por mjaft domëthënëse, nis loja aktoriale. Vepra provokon me skena të forta që vinë te publiku në mënyrë elegante, kjo falë tekstit të përkthyer nga Ilir Barçi. Roi Kon, interpretuar nga Helidon Fino, veshur me çorape me xixa, e robdishambër ngjyrë rozë, përfaqëson njeriun arrogant, të pushtetshëm, homoseksual. Kalimi nga një skenë në tjetrën, bëhet nga balerinët; kjo shkakton ndërprerje, e megjithatë mesazhet që vepra kërkon të përçojë shkojnë te publiku.

Vepra mbart mesazhe politike, por regjisori është kujdesur të mos vërë theksin vetëm tek to. Që në fillim të shfaqjes, publiku përballet me dilemat, a është gati shoqëria shqiptare të pranojë marëdhënien mes personave të të njejtës gjini? Deri në fund të veprës, ajo qe vihet re është marrëdhënia e koklavitur e disa meshkujve me njëri-tjetrin.

Puthje, përqafime, prekje… kështu përshkruhet ky raport, që për një pjesë të publikut u mirëprit, e për disa persona nuk u kapërcye dot dhe largimi nga salla ishte e vetmja zgjidhje. Një mashkull që i thotë “Të dua” një mashkulli tjetër, një ëngjëll në skenë, por edhe një grua, e lënduar, por që e pranon më në fund, se çdo njeri ka nevojë të dashurojë diçka.

Genti Dençka, Luiza Xhuvani, Indrit Çobani, Donald Shehu, Luli Bitri, Ina Gjonçi, Laert Vasili dhe Vasjan Lami është kasti që është bërë një, për veprën sumëdimensionale, fituese të disa çmimeve.

Drama “Ëngjëjt e Amerikës” një nga kryeveprat e dramaturgjisë bashkëkohore nga Tony Kushner, me regji të Arben Kumbaros pati shfaqjen e fundit këtë të diel, në skenën e Arturbina, për t’u rikthyer sërish në sezonin e ri.