Balla i sulet Metës/ Po pse nuk qenka funksional Parlamenti sepse këtu nuk qenka Monika?

Taulant Balla ka komentuar deklaratat e bëra ditën e djeshme nga presidenti Ilir Meta, i cili tha se Parlamenti nuk funksionon dhe Reforma në Drejtësi nuk ka sukses përderisa vendi është pa gjykatë kushtetuese.

Nga foltorja e Kuvendit, Balla deklaroi se i vjen keq që Meta e rendit veten me opozitën jashtë parlamentit.

Gjithashtu numri dy i qeverisë theksoi se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe kushdo guxon të dëmtojë procerin zgjedhor do të dënohet.

‘Më vjen keq që presidenti i Republikës e rendit veten krah atyre që mendojnë se Reforma në Drejtësi nuk ka ecur ashtu si duhet, edhe pse nuk ka asnjë partner sot që nuk e vlerëson Reformën në Drejtësi, apo për më keq se kaq që parlamenti sipas Presidentit të Republikës edhe pse ne jemi një Republikë e pastër Parlamentare nuk qenka funksional. Po pse nuk qenka funksional Parlamenti sepse këtu nuk qenka Monika dhe është Ralfi apo sepse këtij kuvendi i mungojnë fjalimet pa pikë dhe pa presje të Sali Berishës dhe janë zëvendësuar me fjalime të ngjashme të Kujtim Gjuzit. Unë nuk shoh ndonjë dallim dhe realisht dua t’ua them le ta shfrytëzojmë këtë kohë të mbetur, jo deri në javën e ardhshme por teksa të gjithë ushtrojmë mandatin që na kanë dhënë shqiptarët të punojmë për Shqipërinë europiane. Dhe e fundit që ta dini ju deputetët e opozitës por edhe ata që na ndjekin, zgjedhjet e 30 qershorit do të zhvillohen. Këtu ka plot parti politike të opozitës që janë regjistruar. 30 qershori është afati i fundit kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, nuk ka as me një korrik as me 2 korrik, me 30 qershor dhe kush guxon të dëmtojë procerin zgjedhor jua kam lexuar seancë për seancë dënimim penal’, deklaroi Balla.