Kokëdhima: Nuk futemi në zgjedhje pa PD-LSI-në

Gjatë fjalës së tij në Kongresin e Parë të partisë “Zgjidhja”, kryetari i kësaj force Koço Kokëdhima ka lëshuar një deklaratë të fortë për zgjedhjet e 30 Qershorit. Pavarësisht se kjo parti është regjistruar në KQZ për zgjedhjet lokale dhe ka mbledhur firmat për të garuar në bashkitë kryesore të vendit, Kokëdhima, i ka kërkuar Kongresit që të bojkotojnë zgjedhjet  e 30 qershorit, nëse në ato nuk do të marrë pjesë PD dhe LSI.

“Njerëzit me të drejtë pyesin: çfarë do bëjë Zgjidhja’? A do hyjë ajo në zgjedhjet e 30 qershorit? Në se po, a do ishte kjo diçka e drejtë? Më tej akoma; a do t’i lëmë ne në baltë mbështetësit dhe simpatizantët e thjeshtë të PD-së e LSI-së? Ata janë shqiptarë që protestojnë të revoltuar rrugëve dhe shesheve kundër qeverisë. Seicili prej tyre ka një arsye të madhe që proteston, paçka se është ftuar nga lidershipi i PD-së dhe LSI-së”, ka nisur argumentimin përpara kongresit Kokëdhima.
Por në vazhdim të fjalës duke folur më specifikisht për krizën dhe opsionet e 30 Qershorit ai ka deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e fasadës zgjedhore që po përgatit Edi Rama.“Një hyrje e jona në zgjedhje nuk do t’i përmirësonte standardet e tyre dhe do ta izolonte edhe më shumë PD-në dhe koalicionin e saj. Ne nuk u kemi asnjë borxh atyre. Por zgjedhjet që nuk janë gjithpërfshirëse e përçajnë dhe e destabilizojnë edhe më keq Shqipërinë. Ndërkohë dhjetëra mijëra demokratë e mbështetës të këtij koalicioni janë vëllezërit tanë të një gjaku, janë shqiptarë që vuajnë shtypjen e tiranisë së krimit dhe korrupsionit njësoj si ne. Ne nuk mund t’i lëmë ata vetëm përballë një qeverie antipopullore, antikombëtare dhe të korruptuar. Nuk mund të vihemi as përballë tyre. Zgjedhjet janë ngjarje të mëdha e festive në jetën e një populli; janë pikërisht për ta bashkuar dhe jo për ta përçarë e për ta lënduar atë.

Për një parti politike, pjesëmarrja në zgjedhje është jetike. Ne kemi pasoja jo të mira nëse bojkotojmë edhe këto zgjedhje, siç bëmë edhe me ato të vitit 2017.  E kemi shumë të nevojshme të marrim pjesë, por këto nuk janë as zgjedhje të reformuara, as me standarde dhe as gjithpërfshirëse. Si të tilla ato e dobësojnë Shqipërinë edhe më shumë. Për ne e para është Shqipëria dhe jo partia. Siç duket qartësisht, ende nuk janë krijuar kushtet elementare për zgjedhje të lira, të drejta e të barabarta. Në këto rrethana unë ju propozoj të vendosim që të bojkotojmë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të kërkojmë shtyrjen e tyre për në tetor”, deklaroi Kokëdhima nga foltorja e kongresit të partisë që drejton.