Deputetët e PS mësyjnë në Arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Dje, deputetët e komisionit të ligjeve zhvilluan një gjezdisje në depon kryesore të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, që ndodhet brenda shkollës së qenve, një objekt tejet i amortizuar i ndërtuar në vitet ’50. Nikoqiri vullnetar i sebepit ishte paraqitur Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, i cili për hir të së vërtetës, i qan këto punët e propagandës dhe tregimittë një realiteti të paqenë (të gënjeshtërt). Nikoqiri, në rolin e atij muhaxhirit që të vjen për vizitë e të nxjerr nga dritarja, nuk njoftonte asgjë se objekti ishte Arkivi i Ministrisë së Brendshme. Të shkretët deputetë që vinin vërdallë e pozonin para kutive që nuk lidhen fare me Sigurimin.

Nuk e di sa u ka bërë përshtypje fondi hetimor-gjyqësor, i cili megjithëse nuk ka lidhje me Sigurimin, është shqyer për të realizuar ekspozitat e shumta propagandistike të AIDSSH-së, për të dhënë idenë e rremë se ky fond lirisht i shfrytëzueshë, gjasme tani po “hapej”. Deputetët ishin habitur nga kushtet e vështira të depos. Shokë, deputetë! Si autorë të një krimi legjislativ (dhe mbivendosjeje) që jeni, mjaftonte të kishit refuzuar marrinë e formimit të Autoritetit, në mënyrë që gjithë paranë e harxhuar kot së koti deri tani, ta kishit çuar për ndërtimin e godinës së Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Dhe gjërat do ishin krejt ndryshe.
Shokë deputetë! Unë e di që t’ju flasësh juve për arkivat është sikur t’i mbushës mendjen drurëve.

E di që jetoni kohën e rrumpallës së mbizotëruar nga fasada, propaganda dhe kalbëzimi. Mësoni se sipas Rregullores së Brendshme nr.1372, datë 26.11.2008, të Arkivit të Ministrisë së Brendshme, nenit 27, në mjediset e vendruajtjes lejohet të hyjnë rregullisht vetëm fondruajtësit dhe drejtori i Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Personat e tjerë, hyjnë gjithnjë me urdhër të ministrit të Brendshëm, shoqëruar nga drejtori i Arkivit dhe fondruajtësit. Kur ju shokë deputetë shkelni ligjin, mos prisni nga nivelet e tjera ta zbatojnë atë. Së paku do isha shpresëplotë sikur të kuptonit që Arkivi i Ministrisë së Brendshme është strukturë e përhershme. Krijesa të përkohshme e artificiale, ka parë plot ky shtet.

Fotoja: Deputetët dje në sallën e Arkivit të MB ku janë të arkivuar dosjet e oficerëve të kësaj ministrie nga viti 1945 deri në vitin 2005.

Fotografia e Kastriot Dervishi
0 0 vote
Article Rating
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments