Lleshaj/ Meta ka kunj me mua, më paragjykon!

Komisioni i Sigurisë me votat e mazhorancës ka rrëzuar mesditën e sotme, dekretin e presidentit Ilir Meta për Vettingun e Policisë. Meta kishte kërkuar rishikimin e  ligjit për vettingun në Policinë  e Shtetit, duke e cilësuar atë si rrezik dhe mundësi për t’u ndikuar nga ana e qeverisë.

Nga ana tjetër ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i ftuar për të raportuar ditën e sotme në komision e cilësoi si paragjykim ndaj dikasterit që drejton këtë qëndrim me dekret të presidencës. Madje Lleshaj përdori edhe termin “paranojak” për presidentin duke lënë të kuptohej, se ai e ka “personale” me atë që nga koha kur refuzoi që ta dekretonte si ministër të Brendshëm.

“Vetingun në polici i takon ta bëjë SHÇBA. Vetingu nuk është politik. Me gjithë respektin për presidentin dhe institucionin e Presidencës, po paragjykohet një institucion i rëndësishëm në vend siç është Ministria e Brendshme. Ministria e Brendshme është një institucion me rëndësi në vend, që bën më tepër sesa një proces vetingu. Standarti nuk është prekur. E kemi bërë këtë ndryshim pasi sistemi i vjetër në fazën e tretë duhet të kemi 270 persona ti heqim që duhet të bëjnë Vettingun. Meqënëse Ministria e Brendshme ka një sturkturë SHÇBA në fazen e dytë dhe të tretë është një strukturë vettingu dhe duhet të bëjë detyrë. Vettingu është një proces që nuk mbaron kurrë. Çdo hyrje ne policinë e shtetit do të futet ne vetting nga SHÇBA. Dhe ky institucion do ta bej përherë vettingun dhe është absurd të mos e bëjë. E ka me ligje që ta bëjë përherë”, ka deklaruar mes të tjerave Lleshaj.

 Kontrolli politik dhe qeveritarë që mund ti bëhet Vettingut në polici pas ndryshimit të ligjit nga Rilindja është paralajmëruar nga shumë specialist të fushës, por edhe nga vet ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Fakti është që SHÇBA, jo vetëm që nuk ka kapacitetet profesionale dhe numerike për të kaluar në sitë rreth 13 mijë forca policore, por është nga ana tjetër është edhe në varësi direkte nga ministri si institucion. Lleshaj tha se “Vettingu nuk është politik”, por nga ana tjetër që kur është bërë ministër i Brendshëm është shfaqur në krye të këtij dikasteri më shumë si zëdhënës politik i Edi Ramës duke u sulmuar opozitën, se sa si një drejtues profesionist.