Edi Rama ka rënë dakord të japë dorëheqjen

Një javë para protestës masive kombëtare të 11 Majit, tashmë mediat kanë nisur të japin dhe skenaret e asaj që do të ndodhë.

Në gazetën Koha Jonë, të gazetarit Nikoll Lesi ka qenë sot si lajm kryesor, ai që kryeministri Rama nuk e do destabilizimin e vendit, por që sondazhet e nxjerrin humbëse PS-në dhe kjo bën që ai të kërkojë shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

‘’Edi Rama ka rënë dakord për të dhënë dorëheqje si kryeministër, bile burime serioze tregojnë se u ka thënë Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës se “nuk kemi udhë tjetër përveç zgjedhjeve siç do opozita”. Bile edhe më tej kryeministri Rama u ka përmenduar Ruçit dhe Ballës se nuk do që të përfundojë si Berisha pas 26 majit 1996, kur dihet se si shkuan punët”, thuhet mes të tjerave në shkrim.

Shkrimi i plotë në Koha Jonë:

Edi Rama nuk është ai që portretizojnë opozita dhe mediat shumë kritike ndaj tij. Edi Rama nuk e do destabilitetin e vendit më 30 qershor, pasi ai më shumë se të gjithë rrezikon gjithçka.

Edi Rama do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe mundësisht të jenë në një ditë dhe ato vendore. Edi Rama ka rënë dakord për të dhënë dorëheqje si kryeministër, bile burime serioze tregojnë se u ka thënë Gramoz Ruçit dhe Taulant Ballës se “nuk kemi udhë tjetër përveç zgjedhjeve siç do opozita”. Bile edhe më tej kryeministri Rama u ka përmenduar Ruçit dhe Ballës se nuk do që të përfundojë si Berisha pas 26 majit 1996, kur dihet se si shkuan punët. Ai ka përmenduar se nuk do të bjerë në humnerë si Fatos Nano në vitin 2005, kur gjatë vitit 2004 opozita e dërmoi me protesta dhe demonstrata, pavarësisht se përdori policinë dhe grupet kriminale.

Edi Rama i di të gjitha, ai nuk është për përplasje civile. Ai e do Atdheun, e do edhe veten e tij!

Por për dreq, ai ka sondazhet mbi tavolinë nga disa linja, të tijat dhe të huaja, ku sondazhet e nxjerrin humbës PS-në. Ai e di se përveç Vlorës dhe Beratit e deri diku Gjirokastrës, në asnjë qark nuk është parti e parë. PS-ja rrezikon edhe Tiranën. Të mos jetë Erion Veliaj, krejt qarku Tiranës ikën në duart e opozitës. Nëse fitohet Bashkia e Tiranës, me zgjedhje konkuruese korrekte, mbetet meritë krejt personale e Erion Veliajt, sepse kuotat politike të PS-së janë në rënie. Duke mos harruar se kolpot bashkia e kryeqytetit i merr nga keqqeverisja qendrore si dhe nga grupi Sajmir Tahirit, i cili lufton kundër punës së Veliajt.

Pra Edi Rama nuk do sherrnajë më 30 qershor, nuk do që protestuesit të marrin mbi 100 mijë veta rrugën për në Surrel që të vizitojnë ograjat kryeministrore.

Por Rama ka shqetësim se nuk fiton zgjedhjet dhe ky është problem i madh.

Ndaj po mendohet Edi Rama! Mos e sikletosni edhe ca ditë, ai nuk do luftë civile. Ai nuk është diktator, sepse e di mirë fundin e diktatorëve.

Lëreni t’i thërrasë arsyes!