“I ndjek nga pas hapat e tua”-Poezi për Babain.

Sokrat Turtulli

Të ndjek nga pas si ti mua dikur fëmi,
Të mos rrëzohesh a vritesh diku.
Rrugicës me guriçka kur hapat hedh,
Mbërthyer nga mosha ecën kuturu.

Të ndjek nga pas pa e ditur se të ndjek,
Se ndryshe do më bërtisje me zhargon.
Kurrë s’pranove për krahu të të mbanin.
Kurrë dhe tani nuk e pranon.

I ndjek nga pas hapat e tua.
Një, dy, tre, tetëdhejetë e pesë.
Jeton brenda meje mosha jote kapërcyer,
Jeton çdo nerv, gjak dhe shpresë.

Ndonjëherë i lodhur zërin të kam ngritur,
Ndonjëherë kam bërë sikur s’të kam dëgjuar.
Ndonjëherë përtesë kam pas kur më ke thirrur.
Ndonjëherë atje ku doje s’të kam çuar.

Të kam ndjek nga pas si drita e syve.
Ti numëroja hapat e hedhur mbajtur mbi bastun.
Sot, do të të tregoj sa herë të kam ndjekur.
Dhe pse do mërzitesh, do më mërzitesh shumë.

Sot do të të tregoj se sa shumë e vuaj,
Çdo fjalë të thënë me zërin ngritur.
Sot falje do të të kërkoj duke u lutur.
Unë, kërthinja jot, tashmë i rritur.

I ndjek nga pas hapat e tua.
Një, dy, tre, tetëdhejetë e pesë…