Pse qeverisja e Rilindjes është inhumane?

Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Një person në pjesën e parë të kësaj triologjie më tërhiqte vëmendjen në atë se “Hitleri përveçse kundër judëve, asgjë të keqe nuk i ka bërë Gjermanisë”. Sigurisht që ky konstatim është relativ. Por ai nisej nga të këqijat që Rilindja i ka bërë Shqipërisë krahasuar me ato të Hitlerit në Gjermani. Në fakt ishin gjermanët ata që e pompuan Edi Ramën me idenë e të qenit “lider global ose së paku ballkanik”. Shumë shqiptarë e besuan këtë, sepse ne kishim besuar që edhe diktatori komunist ishte një udhëheqës global i M-L! Por gjermanët u zhgënjyen tmerrësisht jo vetëm se u përballën me një mashtrues klasik, por edhe se panë te lidershipi i Ramës një ego të pakrahasueshme me liderët e tjerë të demokracive europiane.

Kjo ego e bëri atë të jetë antihuman ose të qeverisë me frymë inhumane. Sot Gallupi evropian shpalli rezultatet e një anketimi për shkallën e stresit në mesin e 143 kombeve dhe shteteve të botës. Shqipëria renditej e 7 nga fundi ose në vendin e 136-të, megjithëse konstatohej që “shqiptarët kënaqen me pak”. Kishte lënën pas vetes vetëm Iranin, Srilankën, Ruandën dhe 4 vende të tjera. Pas Shqipërisë ishin dhe SHBA-të. Por jo për arsyet pse vendi ynë gjendet në fund të listës. Një analizë empirike e shkaqeve që çojnë në këtë situatë stresi në Shqipëri lidhet kryesisht me mungesën e perspektivës, jo me mungesën e kohës për pushime e argëtime si në SHBA. Mungesa e perspektivës tek ne është pasojë e inhumanitetit të qeverisjes së Rilindjes. Punësime militantësh dhe rritje e papunësisë së përgjithshme. Tridhjetë e tetë mijë të burgosur për faturat e energjisë elektrike nga njëra anë dhe mijëra kriminelë, trafikantë, të korruptuar në gjendje të lirë, madje në krye të ekzekutivit e në parlament.

Qindra opozitarë protestues në burg dhe dhjetra zyrtarë të lartë në lidhje me kriminelët të lirë, megjithëse të kapur në flagrancë në shitblerje votash. Ish-ministri i Brendshëm ia dhuron makinën e tij luksoze kushërinjve të tij, duke ruajtur pronësinë, ndërkohë qe kushërinjtë e përdorin atë për trafik droge. Por ky ministër jeton i lirë në shtetin e Edi Ramës, ndërkohë që një deputeti të opozitës i përgatitet qelia e burgut me falsifikime të tipit Alizoti. Dhe më tej! Banorët e Astirit e të Lumit Tirana dëbohen nga shtëpitë e tyre pa shpërblim e nxirren në rrugë, por deputetë si Abazi e të tjerë ndërtojnë pallate pa leje për t’u legalizuar nga vetë ata. Banorëve të pambrojtur pushteti u hedh gaz helmues lotsjellës brenda banesave të tyre, edhe pse në keto banesa shumica prej tyre ishin ende në gjumë, madje fëmijë, pleq, të sëmurë, ndërsa kriminelë me famë Rilindja i bëri deputetë, ministra, kryetarë bashkish ose drejtorë të rëndësishëm. Inhumaniteti i një qeverie ose qeverisjeje duket në sjelljen me të dobëtin, nevojtarin, të varfërin, të pambrojturin.

Demokracia matet me sjelljen e shoqërisë dhe të institucioneve të shtetit ndaj të sëmurëve, ndaj atyre njerëzve që nuk kanë mundësi të startojnë në shoqëri njësoj si të tjerët. Rilindja erdhi në pushtet në shoqërinë e njërëzve në karroca, por asnjë kategori e këtyre njerëzve nuk përfitoi asgjë. Përkundrazi u thellua diskriminimi, pakujdesia dhe varfëria e tyre. Shteti bëhet human kur kujdeset për të sëmurët, por situata në shëndetësi në këto gjashtë vite u bë tmerrësisht më e keqe! Qeveria e Rilindjes ka miratuar dhjetra e qindra ligje, por shumica prej tyre janë ligje që ashpërsojnë masat e dënimet kundër njerëzve të thjeshtë e lehtësojnë fitimet marramendëse për oligarkët në ekonomi.

Shteti shqiptar besoj se është i vetmi shtet në botë, i cili u jep 140.000 studentëve dhe mijëra pedagogëve vetëm 38 milion euro në vit aq sa është buxheti vjetor për arsimin e lartë. Por nuk nguron t’i japë një firme te falsifikuar bashkë me dy artakëve të tjerë plot 48 milion euro për dy km rrugë. Nuk po flasim për shpërndarjen e buxhetit dhe të taksave në bashkitë e veriut si dhe në ato ku drejtojnë opozitarët, sepse diskriminimi dhe hakmarrja e Rilindjes është shumëfish e dëshmuar. Mjafton kjo politikë e shpërndarjes së pasurisë që të kuptohet se çfarë raporti ruan Rilindja e Edi Ramës midis shtetit ligjor të së drejtës dhe kujdesit human për qytetarët e vet. Shqipëria është një rast unik i një raporti dizekuilibrues midis së drejtës, ligjit dhe humanizmit. Dhe ndodh kësisoj, sepse vendi ynë ka një kryeministër të dizekuilibruar.

Eksperienca gjashtë vjeçare e Rilindjes na kujton rishtas se sa më shumë përqendrohet pushteti në një dorë, aq më shumë shtohen shanset për të patur një qeverisje inhumane. Sa më shumë inhumane të jetë kjo qeverisje, më shumë zgjatet cikli i sjelljes antihumane, sië po ndodh me protestuesit këto dy muaj, kur policia e shtetit ushtron dhunë masive kundër tyre. Sa më shumë të reagohet ndaj këtyre sjelljeve inhumane, aq më shumë qeverisja e Rilindjes shton arrogancën e vet të dhunës.

Tiranë, më 27.04.2019

Pjesa e tretë “Energjia negative që prodhon Rilindja”!