REAGON ASHPËR KOKËDHIMA: MË 30 QERSHOR NUK DO TË KETË ZGJEDHJE

Pas deklaratës së ambasadorit të OSBE Bernd Borchardt, i cili tha se ndryshimi i datës së zgjedhjeve vendore është një proces i ndërlikuar, ka reaguar Partia “Zgjidhja” e Kokedhimes.

Ndonëse Partia Zgjidhja është regjistruar në KQZ dhe kryetari i kësaj partie Koço Kokëdhima deklaroi se do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës përballë Erion Veliajt, ditën e sotme mban një tjetër qëndrim.

Në një deklaratë për shtyp, ‘Zgjidhja’ deklaron se zgjedhje farsë më 30 qershor nuk do të ketë.

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’:

Zgjedhje farsë më 30 qershor nuk do të ketë. Pikë!

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bernd Borchardt, pas një takimi me partitë e vogla opozitare, i pyetur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, deklaroi: ‘Për momentin kemi një datë zgjedhjesh, 30 qershorin. Pikë. Ndryshimi i datës është një proces i ndërlikuar’. I pyetur sërish nga gazetarët pse qenka e ndërlikuar në vitin 2019 kur kjo ndodhi në vitin 2007, ambasadori Borchardt u përgjigj: ‘Sigurisht që shtyrja e zgjedhjeve ndodhi në 2007-n, por a është kjo një zgjidhje e mirë? Kjo është diçka që duhet ta vendosin aktorët politikë në vend. Pastaj, vetëm shtyrje? Çfarë do të ndryshonte kjo?’.
Partia ‘Zgjidhja’ është dakort që vetëm shtyrja nuk mjafton. Edhe këto deklarime të drejtuesit të OSBE-së në Tiranë, nuk mjaftojnë. Ato nuk janë në ndihmë të reformës më të rëndësishme që duhet të bëjë vendi: çlirimin e zgjedhjeve nga partitë e vjetra.
OSBE-ja duhet të ishte në krye të nismës dhe të bënte presionin e duhur demokratik që zgjedhjet shqiptare të reformoheshin, që vendi të mos shkonte drejt një farse të re zgjedhore si ajo e vitit 2017, apo e të tjerave pararendëse të 20 viteve të fundit. 
Nëse OSBE e ka humbur rrugën drejt vlerave demokratike që duhet të përqafojë Shqipëria, Pakti Kombëtar i propozuar nga partia ‘Zgjidhja’ është udhërrëfyesi i duhur. Zgjedhje me këtë Kod Zgjedhor dhe me marrëveshjen famëkeqe të 21 prillit 2008 nuk duhet të ketë më në Shqipëri. Pikë! Zgjedhje më 30 qershor që OSBE të thotë se ishin ‘një hap përpara’, kur janë vetëm mashtrimi zgjedhor i radhës, nuk duhet të ketë më. Pikë! Zgjedhje jo gjithëpërfshirëse dhe pa PD-në nuk duhet të ketë. Pikë! Zgjedhje ku votat t’i numërojnë PS, PD dhe LSI nuk duhet të ketë. Pikë! Zgjedhje ku partitë e reja diskriminohen nuk duhet të ketë. Pikë! Zgjedhje ku kandidatët i emërojnë kulisave kryetarët e partive të vjetra nuk duhet të ketë më. Pikë! Zgjedhje ku votuesit vetëm vidhen dhe mashtrohen, ku asnjë zgjedhës nuk ka të drejtë të zgjidhet, nëse nuk është në listat e kryetarëve, nuk duhet të ketë më. Pikë! Zgjedhje ku Shqipëria të renditet në vendin e turpit të Europës, nuk duhet të ketë më. Pikë! 
Ambasadori i OSBE-së, nëse i ka kaq për zemër zgjedhje të tilla, le të shkojë të provojë t’i bëjë në Gjermaninë e tij dhe ta shohë përfundimin. Shqiptarët nuk do t’i pranojnë më. Pikë!

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author