AK, MUNDËSIA E FUNDIT PËR LËVIZJE POLITIKE “Bindja Demokratike”, mund të jetë dështimi i radhës

Nga Alban Daci.

Nga 2013, deri me sot, me argumente kam kundërshtuar tentativat e dështuara, me pamje të parë si lëvizje politike, por, në fakt, thjeshtë hatërmbetje për t’u rikthyer në pushtet dhe për t’u bërë pjesë e pushtetit. Isha i pari dhe vetmi që paralajmërova dështimin e madh të Ben Blushi dhe në fakt ashtu rezultojë. Dështim akoma më i madh dhe më qesharak ka të ngjarë të jetë kjo “Bindja Demokratike”, e cila më ngjanë më shumë me dëshirën për t’iu bindur pushtetit.

Pa analizuar togfjalëshin “Bindje Demokratike” që, në fakt, nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë, e cila bazohet mbi lirinë, duke sfiduar çdo lloj bindjeje ekzistuese, dua të them se kjo nismë politike mund të jetë dështimi më i madh dhe mund të përfundojë në një shoqatë të bindurish e të dështuarish në politikë. E kemi thënë dhe e themi me bindje të plotë, se e vetmja lëvizje reale politike, pas viteve ’90, ishte AK. Pse? Së pari, lindi si lëvizje kombëtare si pasojë e një kauze.

Pra, AK pati kauza reale. Së dyti, themeluesit e saj dhe nismëtarët e saj nuk vinin nga asnjë forum drejtues i partive politike, por ishin kryesisht te rinj, idealistë dhe të motivuar. Së treti, për shkak të faktit që AK bazohej në kauza të forta kombëtare, ajo me “folklorin” dhe me thirrje “mitologjike” të saj kishte ngarkesa të mëdha emotive, duke e veshur Kreshnik Spahiun me elementë të fortë lidershipi e duke e prezantuar atë si një shpëtimtar të vërtetë të “Kombit”. Kreshnik Spahiu pati shumë elemente që ndihmuan në ngritjen e kultit të “Liderit”, duke përfshirë edhe vetë emrin e tij “Kreshnik”, origjinën e e tij interesante sa në Jug dhe në Veri të Shqipërisë, por edhe të folurin e tij pa “teklif”, siç i thonë në gjuhë popullore.

Historia e AK është e duhet të konsiderohet manuali i ngritjes dhe i dështimit të një lëvizje politike që, në fakt, nuk ishte gjë tjetër veçse realiteti social-politik i Shqipërisë. Pra, çdo kush që mendon të rrezoje sistemin me qëllimin për të krijuar një sistem të ri duhet të studiojë historinë e AK, që nga ngritja e deri tek shuarja e saj. Për sa kohë AK ishte një lëvizje politike kauzash dhe nuk ishte një subjekt që kërkonte pushtet, ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm e mund të konsiderohet pa frika lëvizja e parë populiste shqiptare, që nga shpallja e pavarësisë deri në ditët e sotme. Problemet e AK filluan, kur ajo m të drejtë kërkoj të kthej nga lëvizje populiste në një subjekt politik, me qëllim për të konvertuar mbështetjen e saj popullore në forcë politike dhe mbështetësit e saj në vota.

Në këtë momente establishmenti politik, që e ka bërë monopol të drejtën për të bërë politikë dhe për të marrë privilegje politike, hyri në veprim. Së pari, “mediat tona të lira”, me urdhër të padronëve politikë censuruan të gjitha nismat politike të AK. Së dyti, hyri në funksionim procesi “blej, përçaje e sundo”. Shumica tek AK ishin djem e vajza të reja të shkolluara, por që nuk kishin në xhep më shume 2 mijë lekë të vjetra. Joshja për pasurim, presionet për të pushuar nga puna familjarët e tyre dhe ofrimi i vendeve të punës ndihmuan e përshpejtuan në kohë rekord largimet dhe rrjedhjet e AK. Së treti, kodi zgjedhor dhe realiteti politik i blerjes së votës ishte goditja përfundimtare për AK. Ndërsa “Bindja Demokratike” ngjan si nevoje e të Majtës, për të pasur një LSI të dytë. Pra, e Majta, duke pasur frikë, se nuk do të mund t’i rifitojë e vetme zgjedhjet, kërkon të këtë një LSI djathtas, që merr vota nga e Djathta e në fund për të bërë koalicion qeverisës me PS.

Në fakt, sot jemi në një kontekst tjetër politik e në rrethana krejt të tjera politike, prandaj Bindja Demokratike ka fare pak mundësi të bëhet një LSI e dytë. Pse Bindja Demokratike s’ka lidhje me LSI? Së pari, Ilir Meta ishte një politikan që kishte shprehur gjithmonë egoizëm dhe protagonizëm politik brenda në PS, duke sfiduar shpesh edhe Nanon e po ashtu kishte arritur të mbante poste më të rëndësishme deri në Kryeministër, duke forcuar shumë pozitat e tij politike/lidershipi brenda PS, por edhe në gjithë sistemin politik shqiptar. Ndërsa, Patozi nuk ka arritur në gjithë karrierën e tij politike te formojë apo të pretendojë për protagonizëm politik. Ai s’ka qenë kurrë kryetar bashkie, ministër apo zëvendës. Në këto, kushte Patozi nuk niset nga një pozicion i fortë lidershipi, për të krijuar një nismë të fortë politike me impakte elektorale.

Duke qenë në këto pozita, Bindja Demokratike, ka të ngjarë të mos i bindet as vetë Patozit e mund të jetë një dështim i radhës, siç ka ndodhur partiçkat dhe fraksionet e tjera të shumta që kanë dalë deri më sot në sistemin politik, Djathtas dhe Majtas.