Vazhdon gallata e grabitjes, Prokuroria: Nuk është e vërtetë se janë zbuluar grabitësit.

Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit kanë reaguar në lidhje me disa informacione që kanë qarkulluar ditën e sotme në media të ndryshme për identifikimin e disa prej pjestarëve të bandës që grabitën shumën e parave pak ditë më parë në aeroportin e Rinasit.

Në reagimin e prokurorisë thuhet se këto informacione janë të pavërteta, duke mohuar kështu zërat për identifikimin e disa prej autorëve të grabitjes.

Po ashtu, në njoftim theksohet se autoritetet po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve që grabitën një shumë të konsiderueshme parash në aeroportin e Rinasit.

Reagimi

Reagim i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Policisë së Shtetit

Lidhur me disa publikime në media ditën e sotme, për hetimet mbi grabitjen e datës 9 prill 2019 në Rinas, grupi i posaçëm hetimor deklaron se këto lajme janë të pavërteta dhe të pasakta.

Duke përfituar nga ky komunikim me mediat dhe publikun, gatantojmë qytetarët se Policia e Shtetit, Prokuroria dhe agjenci të tjera ligj zbatuese mbeten shumë të angazhuara për zbardhjen sa më të shpejtë të rrethanave të grabitjes, zbulimit të autorëve dhe përballjen e tyre me drejtësinë.

Çdo qytetar që ka informacion që beson se ndihmon hetimin, mund të telefonojë falas në numrin 112, duke ju garantuar anonimatin.