Forcat e qeverisë së Tiranës, pushtojnë aeroportin e Shqipërisë!
Vetëm 24 orë pas grabitjes dhe thyerjes së bujshme në aeroportin e Rinasit, pati një vërshim reagimesh dhe deklaratash nga qeveria shqiptare.
Pasi u gjet si fajtor i vetëm koncesionari kinez i menaxhimit të aeroportit dhe kompania nënkontraktuese e sigurisë, ‘ICTS Albania’, nga ajri foli ministria përgjegjëse e Infrastrukturës Belinda Balluku e cila pasi fajësoi kinezët e TIA dhe ICTS, paralajmëroi se do të ketë një sulm mbi aeroport.
Pastaj doli ministri Lleshi, i cili pasi e deklaroi bandën ‘të shkatërruar’ ndërkohë që ajo tashmë rezulton e zhdukur pa gjurmë dhe ka sistemuar rreth 10 milion eurot e grabitura, sërish e drejtoi gishtin drejt armikut Kinë që ka ‘pushtuar’ aeroportin e vetëm të Shqipërisë.
Dhe pikërisht pas këtyre sinjaleve nisi qeveria e Tiranës nisi operacioni luftarak, për të çliruar aeroportin Nënën Tereza të Republikës së Shqipërisë nga pushtuesit kinezë.
Ministria e Mbrojtjes, Xhaçka doli në televizion dhe njoftoi se forcat e armatosura shqiptare dhe komandot speciale të stërvitura nga NATO, tashmë kishin rrethuar aeroportin. Pak më vonë u shfaq brenda ambienteve të ‘Nënën Terezës’, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetin me dy Zv. Ministra në krahë të cilët shpallën live, edhe pushtimin dhe çlirimin final.
Që nga koha (rreth 3 vite) kur në këtë aeroport u bë brenda pistës goditja e parë, qeveria shqiptare kishte luftuar më kot me kinezët, por nuk kishte mundur të merrte situatën nën kontroll. Kurse mbrëmë, edhe pas përshëndetjes në Twitter nga Monako të Liderit absolut, Aeroporti i Rinasit mund të quhet i marrë më në fund nën kontrolli e qeverisë Rama.
Të gjithë këtë situatë të denjë për ata filmat-komedi me Junta e Liderë Supremë, ku ngjarjet zhvillohen në vende të humbura të Afrikës a Amerikës Latine, e ka përshkruar me sarkazëm të fortë në vetëm një fjali gazetari, Poli Hoxha, nëpërmjet një statusi në faqen e tij në FB.
‘Forcat e qeverisë shqiptare, pas një lufte të egër mbi 3 vjeçare, pushtojnë më në fund Aeroportin e Republikës së Shqipërisë…’, është koncentrimi i kësaj situate komiko-tragjike të qeverisë Rama sipas gazetarit Hoxha, i cili e shoqëron statusin edhe me një foto të komandove të ushtrisë shqiptare, duke ‘pushtuar’ dhe çliruar nga kinezët aeroportin e vetëm të Shqipërisë!