Nga Erl Kodra/ Imagjinoni për një moment sikur ajo që u ndodhi dje atyre qenieve njerëzore të të ndodh ty, saktësisht ty që po i lexon këto rradhë.

0

E vështirë të shkruash dhe të sistemosh mendimet në këtë situatë të pabesueshme. Ka diçka që tejkalon argumentat dhe thyen linjat e mendimit racional, në çastin që “shteti” yt të sulmon me formacion ushtarako-policor në shtëpinë tënde, me qëllimin kriminal për të të shembur shtëpinë, dhe e realizon këtë qëllim, live në media. Ndërsa mediat bëjnë sehirë, gazetarët raportojnë ftohtë, super gazetarët reagojnë vakët, ndërsa politikanët mbajnë fjalime elektorale.

Vetëm kaq, ndërsa krimet kundër njerëzimit vazhdojnë, të ftohta, brutale, sadiste dhe me metoda terroriste.

Ajo çfarë ka ndodhur dje; ajo çfarë po ndodh prej shumë muajsh, në të vërtet është një krim shumëdimensional dhe masiv, ku ndërthuren pastër krime kushtetuese dhe krime kundër njerëzimit. Por e gjitha nuk ndalon këtu, sepse është diçka tjetër që të futë tmerrin, teksa sheh shoqërinë tonë se si është kthyer në një masë gri që nuk reagon.

Unë nuk e di se si mund të vazhdohet jeta normale në këto rrethana. Domethënë, është diçka mes reales dhe sureales çfarë sheh me sy, ndërkohë që reagimi katandiset në tjetër gjë, në fjalë dyzuese dhe dyshuese, diçka e ngjashme me keqardhjen.

Imagjinoni për një moment sikur ajo që u ndodhi dje atyre qenieve njerëzore të të ndodh ty, saktësisht ty që po i lexon këto rradhë. Imagjino për një moment sikur shteti, me formacion ushtarako-policor të sulmojë me rradhë shtëpinë e Artur Zhejit, Mustafa Nanos, Sokol Ballës, Eni Vasilit, Blend Fevziut, Mentor Kikisë, Erl Muratit, Henri Çilit, Rezar Xhaxhiut, Adi Krastës, Vasjarit, Minxhozit, Nazarkos, Bazes, Carlo Bollinos, Anila Bashës e shumë korifejve të tjerë të medias tonë të lavdishme. Mendojeni pak që të hidhej gaz brenda banesës së këtyre gazetarëve, aty ku fëmijët e tyre sapo kanë hapur sytë.

Cili do të ishte reagimi?!

Nuk ka pikë rëndësie arsyeja e mosarsyes (!!) se gazetarët e mësipërm nuk ndodhen në të njëjtat rrethana me ato qenie që dje ua shembën përdhe shtëpinë dhe ua përdhunuan ëndrrat. Shtëpia e çdo qenie njerëzore është e paprekshme, atë e mbron Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e mbron Deklerata Universale e të Drejtave të Njeriut, e mbron Konvenda Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e mbron Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturore, e mbron Karta Sociale e Këshillit të Evropës; e mbron Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, e mbron Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë.

Shtëpitë dhe jetët e atyre qenieve njerëzore i mbron çdo ligj që është shkruar nga dora e njeriut. 
Çdo veprim që është kryer kundër, dhe çdo veprim që po kryhet edhe në këtë moment që po i shkruaj këto rradhë është krim kundër jetës dhe pronës.

Merreni vesh njëherë e mirë, se këtu nuk ka asgjë për të dyshuar; domethënë të dyshosh nëse sulmi i shtetit është i ligjshëm apo i paligjshëm. Sulmi ushtarako-policor i shtetit jo vetëm që është i paligjshëm, por në vetvete ky sulm është i një sulm i turpshëm dhe antinjerëzor.

Merreni dhe lexoni të gjitha dokumentat ndërkombëtare që citova më sipër, ku do të mesoni se si ato përkufizojnë si të Drejtë Universale Njerëzore paprekshmërinë e shtëpisë, saktësisht vendit ku fëmija yt fle gjumë dhe ha bukë, pikërisht vendit ku ai ka parë për herë të parë dritën e diellit.

Merreni me mend se si do të jetë gjykimi që mund t’i bëjë kësaj çeshtje Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, si si mund të jetë gjykimi i Komitetit për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore. Imagjinoni se si mund të justifikohet gazi i hedhur brenda në shtëpi, në mëngjes, aty ku jetojnë fëmijë, gra dhe burra. Ky agresion i neveritshëm lirisht do të përkufizohej si terror. Terror shtetëror me formacione ushtarako-policore.

Gazetarët përgjithësisht heshtin, dhe në ato raste që ata thonë diçka, poshtërsisht nuk e thonë ashtu siç duhet, por ndryshe, me njëfarë trajtimi mediokër, ku gjithmonë flitet për ligjshmërinë e ndërtimit, thua se 28 vjet nuk mjaftuakan që paligjshmëria e tyre të parashkruhet, dhe se, ata njerëz janë viktima të një shteti që nuk ka funksionuar për të mbrojtur territorin, dhe për të disiplinuar ndërtimet. Gazetarët asnjëherë nuk e thonë pa dyshime, se barazia para ligjit është themeli i paqes sociale dhe i funksionimit të një shoqërie.

Merreni me mend se kush dhe çfarë përkujdeset për opinionin publik të shoqërisë. Shikoni si bëhet sulmi ushtarako-policor, i njëjtë me sulmet që zakonisht behen nga ushtritë e huaja pushtuese, dhe media përkujdeset të flasë dhe shkruaj për grabitjen e 10 milion euro në Aeroportin e Rinasit, për Matthew Palmer, për mandatet në Parlament, për Reformën në Drejtësi, në një kohë kur, saktësisht edhe në këto momente po ndodh shkleja më masive e të Drejtave të Njeriut, në mes të Tiranës, hapur, brutalisht dhe egërsisht.

Presidenti i Republikës reagoi, por jo ashtu siç duhej, jo me forcën dhe me vetëdijen që i jep posti i Presidentit, jo me gjuhën adekuate ligjore, që me siguri ai duhet të ketë dijeni se ekziston një Korpus i Jashtëzakonshëm Ligjor që i mbron ata njerëz nga sulme të tilla të neveritshme.

Reagoi edhe opozita shqiptare, ish deputet të saj u penguan fizikisht të shkojnë në mbështetje të atyre njerëzve. Por vetëm kaq, sa u krijua përshtypja se edhe opozita u dorëzua para forcës brutale ushtarako-policore që dje demonstroi Gjeneral Sandër Lleshaj dhe Kryeministri Edi Rama.

Në të vertetë, dje u shemb diçka shumë më e madhe se ato shtëpi. Ka një vijë që askush nuk e ka tejkaluar, domethënë, ajo vija e qartë mes shtetit tënd që e ka për detyrë kushtetuese të të mbrojë, dhe shtetit të huaj si fuqi ushtarake pushtuese, që djeg dhe shkatërron shtëpitë e popullatës, territorin e së cilës e ka pushtuar.

Ky kufi u tejkalua dje, faqe gjithë botës. Turpi dhe frika ka pushtuar shoqërinë shqiptare, mediat, intelektualët, qytetarët dhe institucionet.

Nesër priteni në shtëpitë tuaja, sepse për njëmijë arsye, me siguri të ngjashme me ato të cilat u shembën ato shtëpi, ushtria policore e Gjeneral Lleshajt, për interesa nga më të paarsyeshmet, nesër do të shfaqet në derën tuaj, do t’u hedhë një bombë tymuese bash në krevatin tuaj bashkëshortor, do ju thyej këmbë e duar, dhe do t’ua përdhosë fletoren e ëndrrave tuaja sublime.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author