Terror, dhunë dhe gaz lotsjellës ndaj banorëve të Bregut të lumit. VIDEO

Përsëritet aksioni i Shkozës për prishjen e banesave dhe në zonën e Bregu të Lumit. Herët në mëngjes Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan në terren dhe me anë të forcës kanë nxjerrë nga banesat banorët, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet ku 3 banorë janë lënduar.

Më rëndë është një i moshuar që siç duket në video është gjakosur dhe i është nënshtruar operacionit.

Denoncimet për dhunë nga ish-deputetët e PD që janë në terren janë të shumta, ndërsa mediat nuk janë lejuar të afrohen në zonë. Po ashtu mësohet se banorët janë detyruar të largohen nga banesat pasi policia ka përdorur gazin lotsjellës.

Janë rreth 40 banesa që preken nga projekti i Bulevardit të Ri. Banorët thonë se këto banesa janë përjashtuar nga skema e dëmshpërblimit dhe iu është ndërprerë procesi i legalizimit. Sipas banorëve, para se të vijohet me projektin e zgjatimit të Bulevardit të Ri duhet të dëmshpërblehen. /Opinion.al