Basha nga Berlini: S’ka zgjedhje vendore pa qeveri TRANZITORE

0

Lulzim Basha ka hedhur poshtë çdo mundësi që opozita të hyjë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit.

Nga Berlini ku ndodhet në një vizitë disaditore për takime me drejtues të rëndësishëm të politikës gjermane, kreu i PD-së ka rikonfirmuar edhe një herë kërkesat e opozitës për krijimin e një qeverie tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, si dhe hetimin e gjithë abuzimeve që janë bërë gjatë zgjedhjeve të fundit.

Në një intervistë dhënë për radion shtetërore gjermane “Deutsche Welle”, Basha u shpreh se “çështja e zgjedhjeve lokale zgjidhet vetëm pasi të ndëshkohen ata të cilët janë kapur duke vjedhur zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale të kaluara. Pra pa u ndëshkuar, pa marrë fund ky model i bashkëpunimit të hapur me krimin e organizuar dhe qeverisjes, as që mund të bëhet fjalë për normalitet apo për zgjedhje të tjera”.

Kreu i PD-së ka theksuar se qytetarëve dhe votuesve u duhet rikthyer besimi te proceset elektorale dhe kjo nuk mund të ndodhë pa u ndëshkuar ata që janë faktuar se kanë vjedhur zgjedhjet. “Prioritet dhe emergjencë kombëtare është rikthimi i besimit të shqiptarëve te procesi zgjedhor. Dhe për këtë duhet patjetër, përpos largimit të qeverisë aktuale dhe një qeverie tranzitore, të çohen para drejtësisë: dosja 339 dhe të gjitha kokat politike të përfshira në këtë dosje”,- deklaroi Basha.

Deklarata e kreut të PD-së është pjesë e qëndrimeve të opozitës që pas djegies së mandateve në muajin shkurt dhe fillimit të protestave. Rëndësia e këtij qëndrimi lidhet me vendin ku bëhet deklarata, pikërisht në Gjermani. Këto ditë, kreu i Partisë Demokratike është pritur nga zyrtarë të lartë të parlamentit gjerman, drejtues të ministrisë së jashtme gjermane, ekspertë të qeverisë gjermane për rajonin e Ballkanit, si dhe bashkëpunëtorë dhe politikanë të afërt me kancelaren Angela Merkel.

Që pas nisjes së protestave dhe shpërthimit të krizës politike, kjo është vizita më e rëndësishme e kreut të PD-së në vendet e BE. Roli i Gjermanisë në situatën politike në Shqipëri është i dorës së parë, për shkak edhe të ndikimit të Berlinit që ka në vendimmarrjen e Bashkimit Europian. Ndaj dhe deklarimet e Lulzim Bashës dje nga Berlini vijnë edhe si një sinjal se politika e vendit më të rëndësishëm në Bashkimit Europian ka pranuar problemet që ka qeverisja “Rama” në Shqipëri dhe si faktin se parimet demokratike janë vënë në rrezik si asnjëherë më parë.

Lulzim Basha konfirmoi dje se axhenda e opozitës për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë marrë mbështetjen e gjithë zyrtarëve amerikanë. Por ajo çfarë është më e rëndësishme lidhet me faktin, se pas këtyre takimeve, Lulzim Basha foli për një projekt opozitar që nuk synon vetëm rrëzimin e Edi Ramës dhe fitoren e zgjedhjeve, por një ndryshim të sistemit aktual që prodhon kriza të tilla të forta politike. “Dalja e opozitës (nga ky parlament) është pa kthim, kriza politike është reale, por kështu është një oportunitet, një mundësi e madhe, jo thjesht për të larguar një qeverisje të lidhur me krimin, por për t’i dhënë shqiptarëve një sistem demokratik funksional, që u shërben atyre dhe jo partive apo thjesht e vetëm klasës politik. Jam shumë i inkurajuar se edhe këtu në Bundestag dhe në institucionet gjermane, kemi gjetur mbështetje për këtë axhendë transformuese dhe që shkon përtej thjesht zëvëndësimit të kësaj qeverie me një qeveri tjetër”,- deklaroi kreu i PD-së.

Nga Berlini, Lulzim Basha bëri një ndarje të qartë mes kryeministrit Edi Rama dhe figurave të tjera në PS që e kuptojnë situatën. Konkretisht, Basha u pyet për qëndrimin e ish-ministrit Dimtir Bushati, i cili ka folur i pari për një krizë që kërkon reflektim edhe nga brenda PS dhe qeverisë. Lidhur me këtë qëndrim, Basha deklaroi se ai dhe opozita janë “të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët duan një të ardhme europiane për Shqipërinë”.

Por tashmë vendimi zyrtar nga lideri i opozitës shqiptare u tha  në Berlin: Nuk ka zgjedhje më 30 qershor pa ikur Edi Rama./Qamil Xhani/

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?

About The Author