Detit i doli pronari

Kështu e quajti emisionin e tij “Ajzberg” gazetari investigativ,Artur Çani. Fabula ishte e thjeshtë. Në ca zona janë krijuar toka nga mbushja me inerte prej njeriut,ose nga derdhjet e lumenjve në det. Këto sipërfaqe,që në fakt sipas ligjit rezultojnë prona të shtetit,janë kthyer në toka të ca individëve që me dëshmi fallco e me vendime gjyqësore të blera ia kanë dalë t’i hipotekojnë dhe të bëhen latifondistë pa derdhur asnjë pikë djerse. Ajzbergu trajton deri në detaje një përvetësim në Libofshë të Fierit. I kanë vjedhur shtetit aq shumë hektarë sa del baraz me sipérfaqen e kryeqytetit tonë, Tiranës.

Pra një fis në Fier,pa pasur asnjë cm tokë,rrëmben qindra hektarë dhe pikërisht në buzë të detit,aty ku në se do ngrihen nesër resorte turistike investitorët do e blenë si frëngu pulën. Emisioni u nxit në këtë tematikë nga një pronar i vjetér tokash në atë zonë,nga një pinjoll i fisit Cakrani. Ai i ka tokat e tij,por kufi më parë kisha detin,thotë. Tani më dalin ca njerëz që nuk i njeh kush këtyre anëve.

Ai lufton që toka e krijuar nga aluvionet e lumit t’i kthehet shtetit. E nuk lodhet duke e çuar çështjen në prokurori,në agjencinë e pronave,te avokati i shtetit. Nuk merr askund pérgjigje. Atëhere i shkruan kryeministrit Rama. Por as ky nuk ia var,nuk i bën dy gisht sqarim. Dhe të mendosh se ka qysh nga 2013 që ky njeri po bërtet:”O shtet të kanë vjedhur pronën. Ja kush e ka bërë!” Por shteti hesht. Nuk bëzan. Kush e di ku i punon mendja.

Në ndonjë skemë vjedhjesh votash a në ndonjë koncesion. Emisioni ngre një problem të madh. Do zoti e dëgjon dikush që ka atribute ta lëvizë gurin ku rri fshehur gjarpéri i korrupsionit.