Vuçiç dorëzohet nga protestat: “Zgjedhje të parakohshme” në Serbi.

Presidenti i Serbisë dhe lideri i partisë që qeveris, Aleksandër Vuçiç deklaroi sot pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij, se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vendimi vjen pas protestave disamujore që opozita dhe qytetarët kanë nisur në Beograd dhe qytetet serbe kundër qeverisë së tij, korrupsionit, censurës mediatike dhe varfërisë ekonomike. Vendimi shënon një kthesë të politikës serbe, pasi çuarja e vendit në zgjedhje largon dhe tensionet e forta dhe përplasjet që janë shënuar këto ditë në Beograd. Një javë më parë, protestuesit serbë pushtuan Radio Televizionin shtetëror RTS.

Fillimisht Vuçiç i cilësoi protestat si sporadike dhe deklaroi se nuk kishte ndërmend të largohej nga pushteti apo të plotësonte kërkesat e tyre. Ndërkohë lëvizja kundër tij mori përmasa kombëtare dhe po rrezikonte stabilitetin e Serbisë.

Situata e rëndë në vend e ka detyruar partinë në pushtet SNS, që të kapërcejë kokëfortësinë dhe kundërshtitë e kryetarit Vuçiç dhe të marrë vendimin, për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së rëndë në vend.

Situata politike në Serbi ka diferenca nga ajo në Shqipëri, por thelbi i asaj që ka ndodhur këto muaj është i njëjtë me Tiranën. Edhe në Shqipëri prej disa muajsh opozita ka nisur protesta masive kundër qeverisë. Opozita ka djegur mandatet e deputetëve dhe kërkon zgjedhje të parakohshme. Por ndryshe nga Vuçiç, kryeministri Edi Rama, i cili është dhe mik i liderit serb po tregohet kokëfortë. Rama nuk pranon as negociata dhe as zgjedhje të parakohshme duke qenë lideri i vetëm në rajon që ka një Parlament monist dhe pa opozitën reale brenda tij.

Kur Vuçiç, politikani i plotfuqishëm serb, që ka kapur mediat, ekonominë dhe akuzohet si një nga liderët që ka asfiksuar demokracinë në Serbi arrin të pranojë zgjedhjet, përse Edi Rama e përjashton si mundësi një zhvillim të tillë?

Një javë më parë, një analizë e agjencie për zhvillimet në rajon e krahasonte situatën në Shqipëri, Mal të Zi dhe Serbi të ngjashme. Në të tre vendet kanë nisur protestat dhe kërkohet largimi i qeverive. Basti i vendosur nga mediat ishte se cili lider do të dorëzohej më parë dhe do t’i hapte rrugën ndryshimeve zinxhir në Ballkan, Edi Rama, Milo Gjukanoviç apo Aleksandër Vuçiç. Sot i pari që u dorëzua është Aleksandër Vuçiç, një politikan që cilësohet nga opozita serbe si njeriu që po nderonte një shtet me tipare të forta autoritatriste. Vendimi është dhe një standard që vlen dhe për vendet e tjera në rajon, zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje për krizat dhe protestat.

No Comments on "Vuçiç dorëzohet nga protestat: “Zgjedhje të parakohshme” në Serbi."

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *